Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka mohuar sugjerimet se humbja shokuese e Partisë Demokratike në garën për guvernator të Virgjinias është vlerësim i presidencës së tij.
Sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, ngecja në agjendën e tij legjislative në “Capitol Hill” nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve shtetërore, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Ai i përmendi votuesit e Trumpit, shkollat, vendet e punës dhe çmimin e karburanteve si arsye për humbjen befasuese të demokratit Terry McAuliffe.
Republikani Glenn Youngkin, figurë e re në politikë, erdhi nga prapaskena për ta fituar garën për guvernator të Virgjinias të martën.
Në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Bideni u pyet nëse pranon ndonjë faj për “tërmetin” politik të së martës në Virgjinia. Ai tha se votuesit janë të zemëruar për shumë gjëra, përfshirë pandeminë, shkollimin, ekonominë dhe çmimin e karburanteve.
Bideni pranoi se demokratët është dashur që ta miratojnë pakon e tij prej 1.75 trilion dollarësh për programet sociale dhe klimatike dhe planin prej 1 trilionësh për infrastrukturë para zgjedhjeve të së martës.
Ai pranoi disa pyetje nga gazetarët edhe për promovimin e vaksinës kundër koronavirusit për fëmijët amerikanë të moshës 5 deri 11-vjeçare. Presidenti i inkurajoi prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura.