Më pak aksidente me fatal dhe aksidente në përgjithësi janë shënuar në shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Ekonomia Online se kanë ndërmarrë veprime me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.
Dorëshlirë ky institucion është treguar edhe në shqiptimin e gjobave, pasi nga 58 mijë gjoba që janë shqiptuar vitin e kaluar, kësaj here ky numër ka shkuar në 65 151.
“Falë angazhimeve policore, periudha krahasuese e muajit shtator (2023/2024) ka rezultuar me uljen e të gjitha llojeve të aksidenteve rrugore, ku aksidentet fatale kanë shënuar ulje -81.82%, përderisa numri i personave të vdekur ka shënuar po ashtu ulje të theksuar për -84.62%, aksidentet me lëndime ulje për -22.52% dhe aksidentet me dëme materiale po ashtu ulje për -9.04%. Përgjatë kësaj periudhe kohore ka pasur edhe aktivitete në fushatat sensibilizuese për sigurinë rrugore, si dhe janë rritur aktivitetet policore ndaj shkelësve të ligjit, ku numri i gjobave të shqiptuara është rritur nga 58 285 në 65151 apo rritje për +11.78%”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe efektive ndaj qytetarëve, si dhe në angazhimet e mëtejme në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor. Njëkohësisht Policia e Kosovës falënderon pjesëmarrësit në trafik për respektimin e ligjit dhe rregullave dhe vazhdon të apelojë që të vazhdohet me respektim të rregullave në trafik, pasi është në interes të përgjithshëm rritja e mëtejme e sigurisë në trafik”, bën të ditur PK-ja.
Por eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka kërkuar një strategji sa i përket sigurisë në komunikacion. Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala ka kërkuar që strategjia duhet të fillojë nga institucionet vendore për të vazhduar te Auto-shkollat.
“Do të duhet që Departamenti për Siguri Publike në kuadër të Policisë së Kosovës, ta rikoncetojë një strategji sa i përket sigurisë në komunikacion. Deri më tani është vërejtur një lëshim teknik dhe që po ndikon drejtpërdrejtë në vazhdimin e aktiviteteve të cilët po shkaktojnë jeta të njeriut në rrugët e qyteteve të Kosovës. Mendoj që në këtë aspekt do të duhet që të fillohet në bazë. Pra të fillohet nga Auto-shkolla, tek Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Infrastrukturës të gjithë së bashku të hartojnë sipas data bazave, shkaku e aksidenteve, vendet se ka aksidente dhe të bëhet një rivlerësim dhe një rimodelim dhe të bëhet një masë adekuate për të parandaluar aksidentet”, thotë Shala.
Shala konsideron se mungesa e theksuar e policisë në Departamentin për Siguri Publike po shkakon probleme. Madje thotë se drejtori i Policisë duhet që të bëjë të ditur planin e tij që mos të ketë raste me fatalitet, raporton EO.
“Nuk është që ka ndonjë aktivitet të theksuar dhe preventiv nga ana e institucioneve përkatëse, ka mangësi në këtë aspekt, por që po shpresojmë që pas këtyre rasteve, edhe rasteve të tjera që kanë ndodhur të ketë një vigjilencë të shtuar. Ne kemi mungesë të policëve të Departamentit për Siguri Publike, sepse të gjithë kanë qenë të angazhuar në një periudhë të caktuar kohore dhe që janë anashkaluar veprime të caktuara sa i përket sigurisë publike dhe për këtë gjë do të duhet që drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete të hartojë dhe ta thirr madje edhe një konferencë në kontestin e asaj se cilat do të jenë prioritetet e tij që deri fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm të mos kemi raste me fatalitet”.
“Qytetarët e Kosovës do të duhet të jenë më të kujdesshëm të vëmendshëm dhe të fokusohen në rrugën që ata bëjnë dhe të mos çorientohen nga përdorimi i celulareve sepse janë shkaktarët kryesor dhe t’i përshtaten shpejtësisë në komunikacion”.