Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, ka folur për aktakuzat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Bieber tha se Thaçi është president i fuqishëm me një lloj mbizotërimi politik dhe se kryeministri Hoti bëri mirë që nuk mori pjesë në takimin në Washington pasi do shihej përfaqësim i dobët i Kosovës karshi Serbisë.
Ai tha se nëse Thaçi nuk e përfaqëson Kosovën në dialog, vështirë se ka ndonjë bashkëbisedues nga pala kosovare për të çuar përpara procesin e udhëhequr nga Amerika.
“Mendoj që po. Nuk do të kishte kuptim që kryeministri (i Kosovës) të shkonte dhe të bisedonte me presidentin (e Serbisë), është një lloj asimetrie aty. Tashmë është një marrëdhënie shumë asimetrike, sepse në njërën anë kemi një president (në anën tjetër).. keni një kryeministër shumë të dobët, i cili, ka shumicë shumë të vogël në parlament derisa presidenti është shumë i fuqishëm me një lloj mbizotërimi politik. Pra, kjo do ta bënte shumë të vështirë krijimin e një dialogu domethënës dhe tani mendoj se ajo që vërtetë është e paqartë është baza e bisedës, sepse nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Thaçit? A duhet të japë ai dorëheqja? Nëse po, kush do ta zëvendësojë? Sepse, natyrisht kryeministri dhe i tërë procesi i Kosovës është nxitur nga vetë Thaçi dhe ekziston mbështetje e kufizuar përtej tij. Kështu që unë mendoj se nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrjen personale në Samitin e Uashingtonit, por ka të bëjë edhe me faktin se nëse ka ndonjë bashkëbisedues nga pala kosovare për të çuar përpara procesin e udhëhequr nga Amerika”, tha Bieber për REL.
Bieber tha se aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit ishte e pritshme nga ana e tij, por ai thotë se mund të ketë lidhje me takimin në Washington dhe për të ishte e befasueshme ngritja e aktakuzës tri ditë para, siç e quan ai, “samitit” në Washington.
“Ajo që dimë është se deklarata është detyruar nga Zyra e Prokurorit, ose të paktën kështu duket- ai ndjeu se kjo deklaratë duhet të bëhet publike, sepse aktakuza mund të shmangej ose mund të kishte presion nga të dy të paditurit ose ndoshta nga dikush tjetër. Pra, ne nuk e dimë, por mund të ketë pasur lidhje me samitin, në aspektin që ndoshta mund të ketë pasur përpjekje të Thaçit për të siguruar imunitet, mbrojtje nga aktakuza përmes këtij procesi. Ne ende duhet të mësojmë se çfarë ka ndodhur aty. Por, me siguri mund të sugjeroj që mund të ketë qenë njëfarë lidhje e vërtetë në mes të këtyre dyjave”, tha Bieber.
“Nga njëra anë nuk ishte befasi. Ne e dimë – kam pritur njëfarë aktakuze kundër Thaçit që një kohë të gjatë, sepse kjo gjë po qarkullonte në ajër në shumë mënyra. Sigurisht, koha, kjo ishte befasia më e madhe, sepse ishte vetëm tri ditë para samitit. Kështu që, goditja ishte më e vogël nga ajo që ndodhi tani, në të vërtetë. Kjo ishte befasia më e madhe e cila tërhoqi vëmendjen time”, u shpreh ai.