Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj gjatë periudhës së fundit kohore ka dështuar ta menaxhojë rrjetin e kanalizimit, për të cilin inkason të hyra në kuadër të ujësjellësit.
Kjo kompani edhe gjatë vitit të kaluar është akuzuar për keqmenaxhim të stafit dhe fryrje të faturave ndaj konsumatorëve. Drejtori i kësaj kompanie, Xhabir Morina, ka dështuar ta organizojë një ekip të veçantë për të intervenuar në raste emergjente gjatë ditëve të vikendit. Ndërkohë, rasti i fundit i shpërthimit të kanalizimit në objektin e Entit të Punësimit, ka nxitur reagime të mëdha derisa prej dy ditësh bodrumi i këtij objekti është i vërshuar nga ujërat e zeza dhe askush nuk ka intervenuar, shkruan sot Koha Ditore.
Naim Gashi, drejtor i Entit të Punësimit në Ferizaj, ka deklaruar se prej dy ditësh bodrumi i objektit të tyre është vërshuar me ujëra të zeza, ndërkohë kompania përgjegjëse “Bifurkacioni” nuk i është përgjigjur kërkesës me arsyetim se gjatë vikendit nuk e kanë ndonjë ekip për raste të tilla.
Sipas tij, kjo kompani e faturon edhe rrjetin e kanalizimit në kuadër të ujësjellësit, andaj duhet të ketë edhe shërbime ndaj qytetarëve dhe institucioneve publike.