Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton se dita e parë e festës së Fitër Bajramit do të jetë të dielën, më 30 mars 2025. Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 29 mars 2025.
Manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku do të falet namazi i sabahut në orën 05:41, i cili do t’i prijë Hetem ef. Sopjani, ndërsa namazi i Fitër Bajramit do të falet në orën 06:59, i cili do t’i prijë Vedat ef. Sahiti.
Pas namazit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, do të mbajë hytben e Bajramit dhe do të drejtohet me një mesazh festiv për besimtarët. Kryesia e BIK-ut gjithashtu organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 09:00 deri në 12:00.
Kryesia e BIK-ut u uron besimtarëve dhe të gjithë popullatës një Fitër Bajram të bekuar!