Janë mbi njëmijë banorë të Llapushnikut të Drenicës të cilët kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Drenasit që në fshatin e tyre të ndërtohet një xhami, mirëpo kjo kërkesë nuk ka marrë dritën jeshile nga institucionet përgjegjëse.
Komunarët e Drenasit arsyeton se ky vend për të cilin është kërkuar të ndërtohet xhamia është nën pronësinë e Agjencisë Kosovar të Privatizimit. Zyrtarë të Bashkësisë Islame në këtë komunë, në kushte anonimiteti, kanë thënë për “Indeksonline” se kanë marrë premtime nga udhëheqës të qeverisjes lokale.
“Prej fshatarëve është bërë kërkesa për ndërtimin e xhamisë mirëpo problemi është se toka është në pronësi të AKP-së, ashtu siç është edhe Kisha. Mirëpo Komuna është duke zvarritur këtë çështje. Edhe pse janë marrë premtime që do të bëhet zgjidhje për xhami mirëpo s’ka lëvizë asgjë”, ka thënë ky përfaqësues i BIK-ut.
Më tej, ky zyrtar thotë se banorët e Llapushnikut janë irrituar pasi në fshatin e tyre është lejuar të ndërtohet një kishë, ndonëse aty janë disa persona të cilët i përkasin kësaj feje.
“AKP-ja e ka publikuar se Kisha “Shën Abraham” është e uzurpuar, mirëpo Komuna të cilën e udhëheq Nexhat Demaku u ka dhënë leje atyre, e kjo nuk është aspak e drejt”, është shprehur ai.
Ndryshe, dje në Llapushnik edhe zyrtarisht është bërë shugurimi i kësaj Kishe. Këtë meshë e udhëhoqi ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji.