Bashkësia Islame e Kosovës, ka dënuar sulmin e mbrëmjes së kaluar në Vjenë.
Sipas BIK-ut ky sulm është akt mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore.
Sipas tyre nuk duhet të ketë kompromis me terrorin dhe se terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit
Komunikata e plotë:
“Kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin” . Kurani
Sulmi i mbrëmë në Vjenë të Austrisë, është atak mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore. Vepër e dënueshme dhe e papranueshme që për qëllim ka frikën, shantazhin e kaosin, si dhe sfidimin e rendit dhe ligjit .
Nuk duhet bërë asnjë kompromis me terrorin, sepse terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit. Terrori nuk ka fe, por ka ideologji që ne nuk duhet pranuar e heshtur para tij.
Në këto momente, jemi pranë popullit e shtetit mik të Austrisë, bashkëndiejmë dhimbjen me familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u dëshirojmë shërim të shpejtë.
“Mysliman është ai njeri, nga dora dhe gjuha e të cilit njerëzit janë të sigurt”. Muhamedi a.s.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës