Bilall Sherifi ka refuzuar të marrë dekoratë nga Hashim Thaçi, dikur bashkëpartiak i tij në PDK.
Sherifi, tani zyrtar i Nismës për Kosovën ka njoftuar se përkundër ftesës nga Ambasada e Kosovës në Maqedoni që sot të jem në Shkup, për të marrë pjesë në cilësinë e të dekoruarit në ceremoninë e ndarjes të dekoratave nga Hashim Thaçi, ka refuzuar të jetë aty, sepse refuzoi të marrë dekoratë nga ai.
Nëpërmes një shkrimi në Facebook, Sherifi thotë se në arsyet e refuzimit, kanë të bëjnë me bindjen se Hashim Thaçi dikur drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i ka kryer detyrimet e tij për të mbrojtur luftën e drejtë të popullit tonë dhe as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si udhëheqëse e luftës për pavarësinë e Kosovës.
Postimi i plotë i Sherifit:
Përkundër ftesës nga ambasada e Kosovës në Maqedoni që sot të jem në Shkup për të marrë pjesë në cilësinë e të dekoruarit në ceremoninë e ndarjes të dekoratave nga Hashim Thaçi, unë refuzova të jem aty, sepse refuzoj të pranoj të marr dekoratë nga ai!
Në këtë letër të shkurtër do t’i theksoj vetëm disa arsye, por që për mua janë thelbësore pse kam refuzuar dekoratën e ndarë nga ai.
Arsyet e refuzimit kanë të bëjnë me bindjen time se Hashim Thaçi dikur drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i ka kryer detyrimet e tij për të mbrojtur luftën e drejtë të popullit tonë dhe as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si udhëheqëse e luftës për pavarësinë e Kosovës. Detyrimet e tij nuk i ka kryer as në cilësinë e kryeministrit të Kosovës ku ishte plot 7 vite dhe nuk është duke i kryer as tani në cilësinë e presidentit të Kosovës. Nuk i ka kryer dhe as nuk është duke i kryer detyrimet që ka pasur dhe ka për t’i mbrojtur vlerat e luftës për të cilën ranë dëshmor mijëra djem dhe vajza, mijëra të tjerë lanë gjymtyrët e tyre nëpër fushë betejat e shumta, si dhe u vranë dhe u masakruan mijëra civil të pafajshëm shqiptar. Në vend se në cilësinë e kryeministrit të angazhohej që shteti i Serbisë të gjykohet për gjenocidin e kryer në Kosovë, ai lejoi të ndodhë e kundërta, krijimin e një Gjykate Speciale e cila do të dënojë luftën e drejtë të UÇK-së.
Prandaj, refuzoj të jem pjesë e teatrit tragjiko/komik të konstruktuar nga Hashim Thaçi ekskluzivisht për interesa të tij personale.
Në kohën kur Hashim Thaçi u shpërndanë dekorata për merita për “Kontributin e lartë për Pavarësinë e Kosovës” siç tha sot: “Bashkëveprimtarëve dhe Bashkëluftëtarëve të mi”, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij shumë më të afërt me të, të cilët në mos më shumë, së paku janë po aq meritor për pavarësinë e Kosovës sa janë edhe të sa po dekoruarit, janë dënuar deri në 10-vite burg.
A nuk është hipokrizi kjo? Për të njëjtën vepër dikush dekorohet e dikush dënohet me dekada burgim?
Për mua PO!
Jam shumë i bindur se detyrimet për të mbrojtur vlerën themelore të Pavarësisë së Kosovës, luftën e drejtë të saj, do t’i kishte realizuar me sukses sikur të ishte angazhuar në mbrojtjen e tyre me të njëjtën energji që është angazhuar për të mbrojtur pushtetin e tij personal.
Ai zgjodhi që të merr vetëm privilegjet që i sollën atij të qenit në krye të luftës dhe të shtetit dhe të abdikojë nga përgjegjësitë që kishte për t’i mbrojtur ato.
Nuk pranoj dekoratë nga ai që u përkul dhe vuri lule te pllaka përkujtimore në Gorazhdec ku janë të shënuar edhe emrat e policëve dhe ushtarëve Serbë që kanë vrarë e masakruar civil të pafajshëm shqiptar.
Prandaj, duke i pasur parasysh këto, konsideroj se ai e ka humbur të drejtën të flasë në emër të luftës për pavarësi se lere më që në emër të saj të shpërndajë dekorata, sepse mbrojtjen e luftës dhe vlerave të saj e ka reduktuar në mbrojtje të vetes së tij.