Një hulumtim i gjerë i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) ka zbuluar se qytetarë nga Serbia dhe serbë nga Bosnja e Hercegovina po rekrutohen aktivisht për të luftuar në Ukrainë në anën e ushtrisë ruse, përmes grupeve private në rrjete sociale si Telegram dhe Facebook.
Sipas BIRN-it, në këto komunitete online mblidhen mercenarë me përvojë shumëvjeçare luftarake, të cilët rekrutojnë vullnetarë të rinj duke u ofruar kontrata të majme financiare dhe përfitime për familjet e tyre. Në komunikimet e siguruara nga gazetarët, një nga administratorët i udhëzon rekrutët që, në rast pyetjesh, të thonë se “po udhëtojnë si turistë për në Rusi” dhe të mos e njoftojnë familjen për arsyen e vërtetë të udhëtimit.
Të interesuarve u ofrohet një pagesë fillestare prej 26 mijë eurosh, pagë mujore prej rreth 2.250 eurosh, si dhe mundësi për marrje të shtetësisë ruse, përfshirë shkollim falas për fëmijët dhe ndihmë për familjet pas kthimit nga fronti.
Në këto grupe, sipas raportit, përfshihen kryesisht burra të moshës 25 deri në 35 vjeç, shumica nga Serbia dhe Republika Srpska, por edhe disa raste të veçuara nga Maqedonia e Veriut. Rekrutimi dhe logjistika – nga blerja e biletave deri te akomodimi në Rusi – koordinohen nga një administrator që përdor pseudonimin “Çetnik Dobrovoljac”, ndërsa veteranët nga fronti mbikëqyrin trajnimin dhe shpërndarjen e tyre në njësitë ushtarake.
Dejan Beriq – “veterani” që rekruton për Rusinë
Një nga figurat më të njohura në këtë rrjet është Dejan Beriq nga Serbia, i cili prej më shumë se një dekade lufton në krah të forcave proruse – fillimisht në Donbas më 2014, e më pas edhe në luftën aktuale në Ukrainë. Ai është aktiv në YouTube dhe Telegram, ku ndan përvoja nga fronti dhe ndihmon në rekrutimin e luftëtarëve të rinj.
Beriq ka kritikuar publikisht trajtimin e mercenarëve serbë në njësitë ruse, duke pretenduar se komandantët rusë i keqtrajtojnë dhe i lënë pa furnizime bazë. Pas disa konflikteve me figura të tjera, si Bratislav Zhivkoviq nga “Lëvizja Çetnike”, shtëpia e tij u dogj pas një zjarri të dyshimtë, për të cilin ai fajësoi persona të lidhur me qarqe ruse që e kishin kërcënuar pas kritikave të tij ndaj komandës ushtarake.

Davor Saviçiç – “Ujku” nga Doboj
Një tjetër figurë e rëndësishme është Davor Saviçiç, i njohur si “Vuk”, ish-pjesëtar i Jedinicës për Operacione Speciale (JSO) të udhëhequr nga Milorad Ulemek – Legija. Ai ka qenë pjesë e grupit Wagner, ka luftuar në Siri (2016) dhe në Donbas (2014–2019), ku shërbeu si instruktor në njësi të lidhura me GRU-në ruse.
Që nga viti 2021, Saviçiç organizon një njësi të quajtur “Njësia Serbe” brenda ushtrisë ruse dhe rekruton luftëtarë nga Ballkani për Divizionin e 106-të ajror. Ai është nën hetim nga Prokuroria e Bosnjës për pjesëmarrje në formacione të huaja ushtarake dhe për krijim të një grupi terrorist.
Rrjeti dhe pasojat ligjore
Sipas BIRN-it, rrjeti i mercenarëve ballkanikë është i ndërtuar mbi strukturë të mirëorganizuar ku veteranët si Beriq dhe Saviçiç përdorin reputacionin e tyre për të tërhequr rekrutë, ndërsa rrjetet sociale shërbejnë si platformë kyçe për koordinim dhe propagandë.
Megjithëse ligjet e Serbisë dhe Bosnjës e ndalojnë rreptësisht pjesëmarrjen në luftëra të huaja, duke parashikuar dënime deri në 10 vjet burg, shumë qytetarë vazhdojnë të shkojnë në frontin ukrainas përkrah forcave ruse.
Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN, numri i vullnetarëve nga Ballkani që luftojnë për Moskën është në rritje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë – dhe ka marrë hov të ri që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.