Me 3 dhe 4 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohen ato që njerëz të Presidentit Trump po i quajnë “The Serbia – Kosovo Economic Talks” , bisedime për ekonomi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pala kosovare tashmë ka arritur në Washington, derisa atje nesër pritet që të arrijë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq./express
Amerikanët për këtë iniciativë rreth normalizimit të raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, thonë se i kanë njoftuar në detaje evropianët, në mënyrë specifike Gjermaninë dhe Francën.
Kështu ka deklaruar dje një Këshilltar Special i Presidentit, Donald Trump, në një bisedë që ka pasur me gazetarë.
Ky këshilltar i presidentit amerikan ka thënë se është në kontakte të vazhdueshme dhe të ngushta me këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe se evropianët janë në dijeni të planit amerikan dhe e mbështesin atë.
“Ne kemi qenë duke u koordinuar me BE’në. Do të vazhdojmë të koordinohemi. Meqenëse e njoh z.Hecker shumë mirë dhe kam koordinim shumë të ngushtë me gjermanët. Gjithashtu kam koordinim me Francën në mënyrë të vazhdueshme, dhe me evropianët tjerë. Kështu që pavarësisht se çfarë mediat thonë, ne kemi qenë duke u koordinuar ngushtë me evropianët, dhje ata e dinë planin tonë dhe janë përkrahës të planit tonë”, ka thënë këshilltari Special i Trump.
Ai tutje ka thënë se SHBA nuk është anëtare e BE’së dhe nuk është e involvuar në procese që BE ka me palë të tjera.
“Ata kanë procesin e tyre”, ka shtuar këshilltari i Trump në bisedën me gazetarë.
“Ne mbështesim miqtë tonë në Evropë. Ne bëjmë çfarë ne mund të bëjmë, por ata janë në detyrë, ata determinojnë ritmin dhe diskutimet”, ka shtuar tutje.