Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj Serbisë, pasi së fundi atje qeveria ka miratuar një projektligj për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë.
Në një postim në platformën X, ai ka pohuar se me këtë veprim dhe veprime të tjera, Serbia po vazhdon të pengojë procesin e dialogut dhe të shkelë parimet dhe frymën e marrëveshjeve.
“Ndërsa Serbia nga njëra anë dërgon letra angazhimi ndaj Komisionit Evropian ku shpreh vullnetin për të zbatuar detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut, vetëm për të marrë miliona euro nga BE-ja dhe Plani i Rritjes, nga ana tjetër vazhdojnë të shkelin marrëveshjet, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe bëjnë çdo përpjekje për të vazhduar të bllokojnë rrugën përpara në procesin e normalizimit”.
“Përmes lëvizjeve të vetë Serbisë në terren, duke përfshirë nxitjen e përshkallëzimeve në 3 vitet e fundit, sulmin në Banjskë, sulmet kundër institucioneve tona, inkursionin në territorin tonë dhe rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, MIG-të që fluturojnë pranë kufirit tonë duke u vendosur ushtria në gatishmëri të plotë dhe të lartë luftarake dhe tani, me projektligjin e persekutimit të paraqitur dje, konstruktiviteti i tyre i rremë vazhdon të ekspozohet”.
“Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? Ai që në mënyrë të pabesueshme përpiqet të shfaqet si “konstruktiv” duke deklaruar përkushtimin e tij ndaj procesit apo ai që miraton projektligje të tilla dhe shkel vazhdimisht marrëveshjet dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? BE-ja si ndërmjetës duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të vendosur”, ka thënë Bislimi.