Bislimi e takon Hovenier një ditë pasi u largua Escobar, përmend “njohjen reciproke në qendër”

Prishtinë | 20 Tet 2022 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i ka shkuar në vizitë numrit dy të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, një ditë pas vizitës së Gabriel Escobar dhe takimit të këtij të fundit me krerët e shtetit.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga kryeministria, thuhet se në këtë takim është riafirmuar partneriteti i ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-së dhe kanë dhënë detaje për temat që kanë diskutuar.

Bislimi në këtë takim ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për marrëveshje me Serbinë për normalizim raportesh e që në qendër ka njohjen reciproke.

“U diskutua mbi procesin e dialogut të fasilituar nga BE dhe rrugën përpara, si vijimësi nga vizita konstruktive e zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kosova vazhdon të mbetet palë aktive, me ide në proces, konstruktive, me vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

“Kosova e mirëpret gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime”, përfundon komunikata.

Të ngjashme