Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, i cili njëherësh është mjek me profesion, vlerëson se Qeveria po dështon në menaxhimin e karantinës për të luftuar Coronavirusin.
Bislimi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Qeveria e Kosovës përveç vonesës në marrjen e masave, ato nuk po ka vizion ti menaxhojë.
“Mënyra e papërgjegjshme se si po e administrojnë karantinën në Qendrën e Studentëve tregon se qeveria Kurti është e paaftë për të përballuar siç duhet këtë gjendje emergjence”, tha Bislimi.
Deklarata e plotë e kryetarit të Rinisë së PDK-së Donjet Bislimi:
Mënyra e papërgjegjshme se si po e administrojnë karantinën në Qendrën e Studentëve tregon se qeveria Kurti është e paaftë për të përballuar siç duhet këtë gjendje emergjence.
Nuk mjaftoi që masat e qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit janë më të vonuarat në gjithë rajonit tonë por edhe ato që janë masat më esenciale nuk po zbatohen siç duhet.
Raportime të ndryshme në media kanë treguar se njerëzit në karantinë janë duke qëndruar bashkë e jo të izoluar nga njeri tjetri dhe se kushtet aty lënë shumë për të deshiruar edhe për nga aspekti higjeno sanitar.
Madje janë raportuar nga media edhe raste të arratisjes të personave nga karantina duke rrezikuar rëndë përhapjen e infektimit.
Prandaj iu bëj thirrje autoriteteve qeveritare dhe institucioneve përkatëse që të mobilizohen e ta marrin këtë situatë me seriozitet dhe përkushtim duke organizuar një karantinë që përmbush standardet e nevojshme.