Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.
Bislimi ka thënë se ky propozim nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe. Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh. Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.”
Ai ka ftuar BE’në që “këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”.
Bislimi ka shkruar se komuniteti serb në Kosovë nuk mbet pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të lëshuara nga Kosova.
Ai ka thënë se ka rritje prej 29 për qind të qytetarëve që pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës.
Bislimi ka bërë të ditur se këtë shqetësim e kanë adresuar në instancat më të larta të BE-së.
“Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza. Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%. Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës. Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta.”