Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do ta udhëheqë më këtë parti nëse nuk ndërron statuti.
Kjo ngase sipas nenit 73.3 të statutit të VV-së, nëse kryetari i zgjidhet kryeministër i vendit duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë.
Në rastet kur kryetari i VV-së jep dorëheqje, shkarkohet nga detyra ose nuk mund ta kryejë më detyrën e tij, nënkryetari i parë i ushtron të gjitha kompetencat e kryetarit, deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.
Besnik Bislimi, nënkryetar i parë i VV-së, në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se statuti i kësaj partie është në plotësim-ndryshim.
Ai sqaron që një grup punues është formuar muaj më parë, po që me rënien e Qeverisë ka ndërprerë punime.
Nëse ky grup arrin që të harmonizojë ndryshimet statutore, ku parashihet edhe zgjedhja e kryetarit Kurti, vazhdon të mbetet kryetar në të kundërtën, Bislimi thotë se do ta respektojë statuti duke u dorëhequr nga posti i të parit të partisë.
“Mendoj që momenti ka ardhur që statuti i VV-së të trajtohet me dinjitet. Në fakt ne qysh në maj kemi vendosur për një grup punues i cili ka pasur për detyrë ndryshimet statutore për arsyeje edhe të ristrukturimit që duamë më bë edhe për arsyeje të tri komponentëve shtesë që i kemi futur ne në programin e lëvizjes: fuqizimi i gruas, të rinjve dhe diasporës”.
“Tash që Lëvizja është prezent në çdo administratë lokale e kemi pa të nevojshëm krijimin e një departamenti që mbështet me politika, këshilla dhe informacione asamblistët tanë nëpër komuna. Po për me mujt me organizuar duhet me pas ndryshime statutore”.
“Fatkeqësisht grupi punues është dashur ta ndërpres punën në atë moment kur ka ra qeveria dhe kemi filluar përgatitje për zgjedhje. Ky grup punues pas zgjedhjeve rifillon punën dhe vjen me propozime”.
“Nëse gjatë këtyre ndryshimeve ata vijnë me propozim që ai statut me u ndryshuar atëherë ne e qesim në votim në këshill të përgjithshëm, nëse mbetet ai statut Albin Kurti ka me respektuar çdo pik të atij statuti”.
Derisa KQZ-ja ka bërë të ditur se nesër pritet të certifikojë zgjedhjet parlamentare, Bislimi thotë se janë të gatshëm për arritjen e marrëveshjes për qeverisjen me LDK-në.
Ai thotë se nesër do të takohen të diskutojnë për temat sociale dhe projektet infrastrukturore, ndërsa u mbetet liderëve politikë të vendosin për marrëveshjen.
Paralajmëron se marrëveshja finale me LDK-në mund të ndodhë javën e ardhshme.
“Nesër ndodh certifikimi në rast se nuk ka ankesa gjatë kësaj periudhe. Ne nesër e kemi takimin e radhës ku diskutojmë politikat sociale dhe pastaj prekim pak projektet infrastrukturore dhe pas kësaj ne në rrafshin teknik po thuajse jemi gati”.
“Pastaj iu mbetet liderëve politik që të ulen dhe të dakordohen për atë çka jemi angazhuar ne dhe të kalojmë në pjesën tjetër që është ndarja e përgjegjësive qeverisëse. Në qoftë se liderët politik kanë mundësinë ta finalizojnë këtë brenda një periudhe të shpejt atëherë nuk ka arsye pse gjatë javës së ardhshme të mos kemi një marrëveshje finale”, thotë ai.
Nënkryetari i VV-së thotë se në takimet e grupeve punuese asnjëherë nuk është diskutuar për ndarje të posteve apo ndonjë pazari tjetër, por vetëm për harmonizim të qëndrimeve rreth programeve qeverisëse.