Në Komisioni për Integrime Evropiane ka raportuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, raporton Ekonomia Online.
Ai fillimisht ka prezantuar punë që kanë bërë që nga marrja e mandatit, duke numëruar një varg sfidash.
Madje ai tha se shumë punë e prioritete të institucioneve nuk janë realizuar, duke sqaruar se nga 22 prioritetet të ERA 1 janë realizuar vetëm 10 prej tyre.
“Fushat që i mbulojë unë përveç integrimeve kanë brenda edhe zhvillimin ekonomik dhe dialogun. Ne mbikëqyrmi nëse programi ekonomik i ministrive përmbushet. Fusha e integrimeve evropiane kërkon bashkëpunim të ngushtë me të gjitha linjat përfshirë Kuvendin, agjencitë e pavarura”.
“Në fillim ne kemi shikuar këshillin ndërministror, këshillin punues dhe grupet punuese sektoriale që janë 6 sosh. Këto këshille janë mbushur me persona. Kemi angazhuar punimet e 9 komiteteteve”.
“Gjatë draftimit prioriteteve kemi pasë 22 prioritete në përfshira në ERA 1 të ndara në 3 shtylla. Prej tyre janë detajuar në 123 veprime që është dashur të merren, 22 prioritete janë realizuar më pak se 50 për qind pra 10 nga 22”.
Ai pati përplasje me deputeten e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kur u pyet për punësimin e Gëzim Tosunit, duke mohuar se e ka nip.
“Pyetja juaj është a e keni ngritur dorën për nipin tuaj? A është në rregull që nipi juaj është ulur afër jush në parlament? Gëzim Tosunin s’e kam unë nip. Nuk jam këtu për kur habiteni dhe tronditeni. Këtë pjesë e diskutoni me deputetë tjerë”.
Deliu-Kodra tha se Bislimi po i ik përgjigjes, duke luajtur me fjalë, raporton EO.
Bislimi theksoi se shtetet të cilat janë skeptike lidhur me procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën janë: Franca, Holanda dhe Belgjika.
“Skeptike janë ato shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë problem se nuk është duke u bërë mjaftueshëm në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Mendoj që një pjesë e brengës nuk ka të bëjë me Kosovën, por me dëshpërimin e qytetarëve të këtyre shteteve për procesin e shpejt të liberalizimit që ka ndodhur me disa shtetet të cilat janë burim i shumë problemeve”.
“Problemi më i madh duket të jetë me brengat që ka MPB e Francës, Holanda është gjithashtu vendi tjetër që ka problem me çështjen e liberalizimit të vizave, na është thënë jo zyrtarisht se brenga ka edhe Belgjika”.