Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, ka paraqitur para deputetëve buxhetin për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, investimet kapitale do të jenë 77 milionë euro, madje ai ka kërkuar nga presidenti që menjëherë ta nënshkruaj Projektligjin për shkak të gjendjes së krijuar.
“Deficiti buxhetor pritet të jetë 2 për qind i cili do të financohet nga fondet e privatizimit dhe letrat me vlerë të qeverisë së Kosovës”.
“Investimet kapitale do të jenë 77 milionë euro. Ky projektligj me rregullimet që kemi bërë është dukshëm më i avancuar se drafti që e ka bërë qeveria e kaluar”.
“Në këtë situatë në të cilën ndodhemi që të jemi bashkë që ta votojmë unanimisht dhe i lutemi presidentit që sot menjëherë ta nënshkruaj projektligjin në mënyrë që ta kalojmë sa me shpejt për shkak gjendjes në të cilën ndodhemi”.
Kryetari i komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, tha se Projektligji i përmbush kushtet dhe ka ftuar Kuvendin ta votojë buxhetin.
“Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrtoi në parin Projektbuxhetin për vitin 2020 të miratohet në parim. Projektligji i përmbush kushtet dhe ftoj Kuvendin ta votojë”.
“Konsiderojmë se është një buxhet i përgatitur në mënyrë solide, të hyrat paraqesin një rritje prej 7 për qind. Ky projektligj duhet të miratohet”, tha Murati.
Arben Gashi nga LDK-ja tha se e përkrahin buxhetin, duke marrë për bazë gjendjen në të cilën gjendet vendi.
“Duke marrë konsideratë se jemi në gjysmën e muajit mars çështja kërkon urgjencë dhe për këtë arsye ne mendojmë se buxheti është mirë i formuluar”, tha Gashi.