Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë me procesin e dialogut dhe këtë tashmë ua ka bërë të ditur vendeve aleate të saj në takimet që ka pasur muajve të fundit.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut, ashtu si ka bërë deri më tani, në kuptim të arritjes se një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse, e cila do të sillte njohjen e Kosovës nga Serbia. Qasja jonë është plotësisht e hapur dhe konstruktive, por është e bazuar në parime që sot janë bazament i politikës së jashtme të shteteve të NATO-s”, ka thënë Bislimi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, por i ka akuzuar autoritetet e Kosovës se nuk duan të vazhdojnë procesin.
Bashkimi Evropian ka rolin e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe Qeveria e Kosovës vlerëson se BE-ja e ka ruajtur neutralitetin minimal në këtë proces.
“Megjithatë, Qeveria pret nga Bashkimit Evropian që të ruajë një kornizë të dialogut që është e bazuar në vetë vlerat e traktateve të saj themeluese dhe një qasjeje që e promovon sigurinë regjionale të Ballkanit Perëndimor, në pajtueshmëri me pritjet e NATO-s dhe në mbrojte të regjionit tonë nga ndikimi rus e kinez”, ka thënë Bislimi për Radion Evropa e Lirë.