Bislimi: S’kishte takim trelateral, Serbia refuzoi

Prishtinë | 17 Sht 2024 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Si diçka “misterioze” e ka cilësuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, mungesën e takimit trelateral në kuadër të dialogut në Bruksel, të martën, ndonëse sipas tij, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në ftesën e dërguar paralajmëronte se do të kishte një takim të tillë.

Në një prononcim për media pas takimit me diplomatin sllovak në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, Bislimi ka potencuar se ishte pala serbe ajo që ka refuzuar takimin trelateral duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”.

Sipas tij, në ftesë thuhej se temat e tjera mund të futen në diskutim vetëm me dakordimin e palëve, e “rrjedhimisht takimi trelateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër”.

Duke komentuar takimin me Lajçak-un, Bislimi ka bërë të ditur se janë diskutuar një varg çështjes, por kryesorja ka qenë rruga drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Bislimi ka njoftuar se kanë folur edhe për temën e telekomunikacionit, pasi më parë kanë njoftuar Brukselin zyrtar “për shkeljet që po i bën Serbia të marrëveshjes”.

Temë diskutimi në takimin në mes të Bislimit e Lajçak-ut ishte edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. R

“Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final”, thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Mbi lirinë e lëvizjes, Bislimi, siç thuhet në komunikatë, ka informuar Lajçak-un mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.

Sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në, sipas komunikatës, është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.

Të ngjashme