Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se deklarata e tij ndaj Bashkimit Evropian nuk ka qenë kërcënim por lutje, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nga Ekonomia Online lidhur me deklaratën e tij se s’duhet ta detyrojë Kosovën që ta eskalojë përsëri situatën për të treguar që situata në Veri të vendit ka de-eskaluar, Bislimi ka thënë se kërkesa e tyre ka qenë që të mos i detyrojnë institucionet të merren më me de-eskalim, pasi situata në terren ka ndryshuar.
Ai mohoi se ka kërcënuar dikënd, duke thënë se Kosova nuk ka as kapacitet as interesim që ta kërcënoj BE-në.
“Ky është konotacion që mbase dikush nga pjesa tjetër e spektrit politik në Kosovë dëshiron me ia dhënë. Ne në vazhdimësi kemi dërguar shkresa që kemi thënë që ne i kemi përmbushur obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e Bratislavës. Dhe ftesa e ime është lutje: ‘mos na detyroni që të merremi ende me de-eskalim’ sepse situata në terren është e mirë. Nuk është kërcënim, është lutje mos na detyroni. Do të thotë hiqni masat se krijohet përshtypja sikur po detyrohemi që ende merremi me de-eskalim ku nuk ka. Nuk është kërcënim se Kosova nuk ka as kapacitet as interesim që të kërcënojë BE-në”, ka thënë Bislimi pas përfundimit të konferencës së organizuar nga Qendra për Dialog Humanitar me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.
“Ne po bëjmë maksimumin që të përshpejtojmë procesin e integrimit në BE”, ka deklaruar Bislimi.