Zëvendëskryeministri i parë Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Ambasadori Kosnett uroi Zëvendëskryeministrin Bislimi për pozitën, duke shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndihmojnë dhe asistojnë në disa nga fushat e fokusit të zyrës së tij: dialogut dhe zhvillimit. Gjatë bisedës ku u diskutuan disa nga këto tema, Ambasadori theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim se do të kenë bashkëpunim të mirë dhe frytdhënës me qeverinë e re.
Zëvendëskryeministri i parë Bislimi e falënderoi Ambasadorin për qasjen shumë të hapur duke vlerësuar maksimalisht ndihmën dhe partneritetin e Shteteve të Bashkuara. Përveç tjerash, Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Ambasadorin Kosnett se Qeveria dhe zyra e tij është e interesuar që të sjellin kuadro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ngrisin kapacitetet dhe të marrin ekspertizën në fushat e caktuara.
Në fund të takimit, të dy falënderuan njëri tjetrin për kohën dhe takimin konstruktiv, duke u pajtuar që të vazhdojnë komunikimin e ndërsjellë.