Zëvendëskryeministri i parë për integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka marre pjese në tryezën me temën “Raporti i BE-së për Kosovën 2021”, organizuar nga Instituti EPIK në bashkëpunim me Komisionin për Integrim Evropian dhe me mbështetje të GIZ-it, raporton Ekonomia Online.
Bislimi tha se Raporti dallon në dy gjashtëmujorët, gjegjësisht gjatë Qeverisë Hoti dhe Kurti. Bislimi ka deklaruar se Raporti përmban pasaktësi dhe se në disa rasti ka pasur absorbim të informacioneve.
“Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe polarizim politik. Kjo shihet që flet për pjesën e parë se në gjashtëmujorin e dytë ka shumicë parlamentare, nuk ka fare polarizim politik, ka bashkëpunim mes institucioneve”.
Në tryezë e organizuar për diskutim të Raportit, Bislimi deklaroi se në këtë Raport rekomandohet aprovimi Kodi i Procedurës Penale, megjithatë, i njëjti është kryer në shtator.
“Kjo vlen edhe për shifrat e zhvillimit ekonomik edhe për të hyrat buxhetore. Por edhe për statistikat që kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit. Në Raportin e progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me pak bashkëpunim kemi mundur t’i përfshijmë të gjitha të dhënat deri më 30 shtator”, tha ai.
“Kemi një situatë në gjashtëmujorin e fundit, i cili nuk mund të përshkruhet me këtë fjali që mund ta hasim në Raport”.
Zëvendëskryeministri Bislimi në fjalën përmbyllëse tha se 40.9% e planit vjetor është përmbushur.
“Ne kemi përmbushur 40.9% të planit vjetor. Plani i veprimit ERA ka 20% të përmbushjes së aktiviteteve. Ka 167% tregues që janë në zbatim e sipër dhe pa vonesa deri tani, 10.85% për të cilët janë raportuar se ka vonesa të vogla në implementim”.
Kurse kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, deklaroi se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Kosovës, raporton EO.
“Viteve të fundit Kosova ka bërë progres në rrugën tonë integruese. Sa i përket liberalizimit të vizave unë mendoj që jemi në stadin e fundit të këtij rrugëtimi të gjatë. Raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për jetë e qytetarëve”.