Bislimi Von Cramonit: Kryetarët në veri mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës

Prishtinë | 29 Maj 2023 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim gjatë ditës Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Në fillim të takimit, u shpreh mirënjohja për punën e znj. Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE. Raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira.

Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE.

Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se institucionet tona janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces.

Në lidhje me situatën në veri, u ritheksua se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi znj. Cramon edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel me 15 maj.​

Të ngjashme