Biznes me vrasje

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 10:02 | Nga Imer Mushkolaj

LDK ka nisur sërish betejën për vota, në kurriz të anëtarëve të vet, të vrarë pas luftës. Aspak e moralshme e fort hipokrite të dëgjosh sërish akuza në drejtim të SHIK’ut e PDK’së, nga zyrtarë të kësaj partie që iu futën vullnetarisht në shtrat Hashim Thaçit e Kadri Veselit për ta qeverisur Kosovën.

Sa herë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të vet, zakonisht zgjedhjet janë afër. Ka vjet që kjo parti bën biznes me këtë çështje të dhimbshme. Siç ka vjet që drejt partisë rivale, PDK’së dhe shërbimit të saj të fshehtë, SHIK’ut, drejtohet gishti nga eksponentë të LDK’së, si përgjegjëse për këto vrasje. Por, LDK’së i bie ndërmend të bëjë akuza për vrasjen e aktivistëve të vet vetëm kur i vjen përshtati një grupi udhëheqës të saj.

LDK ka qenë pjesë e pushtetit, në një mënyrë a tjetër, gjatë gjithë pasluftës. Po të kishte vullnet të sinqertë, çështjen e vrasjeve do ta çonte në fund. Kjo nuk ka ndodhur, madje LDK ka stopuar edhe iniciativa që kishin këtë qëllim.

Deputetja Vjosa Osmani kishte ndërmarrë nismën për të diskutuar në Kuvend për këto vrasje, por ishte ndaluar nga vetë partia e saj. Siç kishte rrëfyer Osmani, grupi parlamentar i LDK’së I kishte thënë asaj se nuk bën të flasë për vrasjet politike. Po ashtu, deputetët e LDK’së nuk kishin përkrahur nismën për krijimin e një komisioni parlamentar që do të merrej me këtë çështje.

Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar nga Isa Mustafa dhe drejtues të tjerë të LDK’së gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2014, por pas koalicionit me PDK’në, kjo gjë ishte lënë në harresë.

Në fakt, Mustafa e kishte përmendur këtë çështje edhe para dy vjetësh, kur kishte pritur në një takim familjarë të veprimtarëve të vrarë të LDK’së. Kryeministri i kishte siguruar ata se do të angazhohej për të kontribuuar në çdo formë për zbardhjen e vrasjeve. Por, që atëherë e deri tash, kjo çështje mjaft e ndjeshme është heshtur, për të dalë sërish në sipërfaqe vetëm kur i konvenon grupit që e udhëheq partinë – tash kur zgjedhjet e parakohshme duket të mos jenë larg dhe kur partitë politike kanë nisur fushatën për to.

* * *

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të degës së partisë në Podujevë, kërkoi sërish që vrasjet të zbardhen. Kërkesa u përsërit edhe nga zyrtarë të tjerë partiakë. Kjo shkaktoi reagime nga familjarët e të vrarëve, të cilët duket ta kenë mësuar strategjinë bizare të LDK’së për të fituar vota.

“LDK dëshiron të përfitojë nga viktimat e SHIK’ut dhe të ringjall vetveten”, deklaroi Kastriot Imeri, djali i ish-anëtarit të LDK’së, Haki Imeri. Fushatën e LDK’së para zgjedhjeve, ai e cilësoi të ndyrë dhe gjakpirëse. “LDK’ja është partnere me ata që vranë figurat e e njohura kombëtare të Kosovës, prandaj adresa është e qartë, partneri i koalicionit të LDK’së është qendra e të gjitha llojeve të krimeve si politike edhe ekonomike”, shkroi ai.

Edhe e bija e Xhemajl Mustafës, Beriana, akuzoi LDK’në për përfitim në kurrizin e të atit. Kurse Rilind Bërbatovci, djali i ish-anëtarit të kësaj partie që u vra pas luftës, Ismail Bërbatovci, ka shkruar se kur zyrtarët e LDK’së ia nisin të flasin për vrasjet, zgjedhjet janë afër.

Zyrtarë të LDK’së, si deputeti Adem Salihaj, kanë kritikuar më herët qasjen e partisë së tyre, duke kujtuar se LDK vazhdon të bashkëqeveris pikërisht me atë strukturë individësh që dyshohen për lidhje të drejtpërdrejtë me krimin politik të pasluftës. Sipas tij, akademitë përkujtimore për çdo përvjetor dhe “zotimi” si refren i vazhdueshëm se do të zbardhen këto vrasje, është vetëm një cinizëm dhe mashtrim i opinionit. Nuk kanë munguar as reagimet nga zyrtarë lokalë të partisë, si kryetari i nëndegës së Ulpianës, i cili ka thënë se zyrtarët e LDK’së që po flasin për vrasjet politike, po tallet me familjet e të vrarëve.

Nënkryetari i LDK’së, Veliu, ka vazhduar edhe më tej, duke thënë se PDK zhegitet shumë kur flitet për vrasjet e pasluftës. Por, pikërisht Veliu ka qenë një ndër kumbarët e koalicionit qeverisës aktual. Pikërisht bashkë-partiaku i Veliut, Lutfi Haziri, i cili deklaroi se PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet, është ndër ata që ka tumirë koalicionin me partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe ka punuar për bashkëqeverisjen “guns and roses”, siç ka dëshirë ta quajë. Andaj tingëllojnë elektorale, hipokrite deri në perfiditet deklaratat e tyre.

* * *

LDK asnjëherë nuk është interesuar seriozisht për zbardhjen e vrasjes së anëtarëve të vet. Në emër të viktimave, kjo parti ka kërkuar besimin e qytetarëve vite me radhë. Në emër të viktimizimit, LDK ia ka dalë që të mbijetojë në skenën politike, ndonëse duke rënë poshtë e më poshtë nga viti në vit.

Të tallesh me viktimat dhe të luash me ndjenjat e familjarëve të tyre është e turpshme, e pamoralshme. Siç është dyfytyrësi, e turpshme dhe e pamoralshme të bësh koalicion me njerëz, të cilët i akuzon për vrasje. Është e pafalshme, bizare të fitosh vota në kurriz të të vrarëve. Është e tmerrshme të bësh biznes me vrasje.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme