Bizneset amerikane në Gjermani i kanë shpresat te Joe Bideni

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Në fushën politike Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë aktualisht miq të mirë. Por marrëdhëniet ekonomike janë të qëndrueshme dhe për bizneset amerikane, Gjermania është bërë vend edhe më interesante gjatë pandemisë COVID-19.

Tensionet janë rritur. ë fillim të muajit nëntor në SHBA do të zgjidhet një president i ri. A do të vazhdojë të qëndrojë në post Donald Trump, apo do të fitojë kundërshtari i tij Joe Biden? Si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në marrëdhëniet gjermano-amerikane?

“Unë dua të theksoj se ne nuk jemi organizatë politike. Por anëtarët e Dhomës sonë janë të bindur se si politikisht ashtu edhe ekonomikisht do të ishte më mirë që të fitonin demokratët”, thotë presidenti i Odës Amerikane të Tregtisë në Gjermani, Frank Sportolari.

Kështu të paktën ka dalë rezultati i një sondazhi që AmCham në Gjermani ka bërë me 50 kompanitë më të fuqishme amerikane në vend. Një rezultat që sidoqoftë nuk duhet mbivlerësuar. Menaxherët shpresojnë që nga një qeveri demokratike të rritet sërish partneriteti politik, gjë që do të pasqyrohej edhe në ekonomi.

Më shumë dialog, por jo pak tema kontradiktore

“Në aksin transatlantik ne kemi shumë tema për të zgjidhur”, thekson Sportolari.

Problemet si ai i deficitit amerikan në tregti, i krijuar ngaqë vendi blen më shumë mallra dhe shërbime se sa prodhon vetë, nuk do të zgjidhen automatikisht nëse president në SHBA bëhet Joe Biden.

“Në kampin e Bidenit ka shumë njerëz që mendojnë në mënyrë protektoniste. Por ne shpresojmë që të kemi dialog më të mirë dhe rrugë më të mira për të zgjidhur konfliktet”, paralajmëron ai.

Parimisht, për marrëdhëniet e biznesit midis Gjermanisë dhe SHBA nuk ka shumë rëndësi kush qeverisë në Washington.

“Popullariteti i presidentit nuk ka të bëjë direkt me marrëdhëniet ekonomike. Firmat amerikane kanë shumë kohë që ushtrojnë aktivitet në Gjermani. Ata janë njerëz të guximshëm, që nuk heqin dorë nga bizneset e tyre”, vlerëson Sportolari.

Amazon ia kalon Fordit

Faktikisht, volumi i përgjithshëm i shitjeve të 50 firmave më të mëdha amerikane që operojnë në Gjermani u rrit në vitin 2019 me 1.8 për qind më shumë se vitin e mëparshëm. Por kjo shifër ka qenë një vit më parë 5.5 për qind. Rënia shpjegohet me dobësitë e sektorit të prodhimit të makinave dhe automjeteve. Ndërsa më mirë kanë qenë sektorët e shërbimeve dhe tregtisë, teknikës së informacionit dhe telekomunikacionit.nga TaboolaMund t’ju interesojnë.

Në listën që AmCham Germany ka radhitur 50 kompanitë më të fuqishme amerikane në Gjermani vendin kryesor e zë Amazon, me blerjet online që kapin volumin prej 19.85 miliardë eurove. Prodhuesi i automjeteve, Ford pason me 19.8 miliardë euro ka kaluar në vendin e dytë pas shumë vitesh kryesimi në listë.

McDonald’s punëdhënësi më i madh

Në vend të tretë është ExxonMobil me vëllim shitjesh prej 8.58 miliardë euro. Firma e furnizimit me karburant Jet, ndodhet në vend të katërt kurse prodhuesi i makinave bujqësore John Deere në vend të pestë.

Vitin e kaluar, sipas AmCham volumi i përgjithshëm i shitjeve të 50 kompanive më të rëndësishme amerikane në Gjermani ka qenë rreth 182 miliardë euro.

Lista e kompanive amerikane që ofrojnë numrin më të madh të vendeve të punës, kryesohet sërish nga McDonald’s, kompania me filialet zinxhir të ushqimit Fastfood, e cila ka 61 mijë punëtorë në Gjermani. Në vend të dytë janë uzinat e Ford me 22,650 mijë, vend të tretë Amazon dhe të katërt USP, që ofron shërbime logjistike me nga 20 mijë punëtorë, pasuar nga Manpower Deutschland dhe John Deere. Në përgjithësi numri i vendeve të punës ka rënë pak nga 315 mijë vende pune në 306 mijë.

Gjermania tregon forcë gjatë krizës

Gjatë pandemisë COVID-19 kompanitë amerikane e kanë vlerësuar Gjermaninë si vend me notën 1,8 që është shumë më mirë se më parë. Sidomos manaxhimi i krizës ka shtuar pikët. Masat e marra si paratë për ata që kanë humbur punën apo masat mbrojtëse për ata që bëjnë punë vetëmenaxhuese dhe për firmat e nivelit të mesëm, janë vlerësuar shumë. Gjermania ka treguar force ekonomike gjatë krizës.

Gjysma e 50 kompanive më të rëndësishme amerikane i ka mbajtur investimet në gjendje konstante në Gjermani gjatë kohës së pandemisë së Covid-19, kurse 31 përqind kanë investuar madje më shumë se më parë. Po ashtu firmat amerikane presin që ekonomia gjermane të marrë veten gjatë vitit 2021. Ndër kompanitë e pyetura 53 përqind presin rritje të shitjeve kurse 41 për qind rritje të fitimeve.

“Gjermania vazhdon të jetë vend interesante për firmat amerikane, që vazhdojnë të zgjerojnë bizneset e tyre”, thekson presidenti i AmCham në Gjermani, Frank Sportolari.

Pandemia COVID-19 do të lë gjurmë

Megjithatë kriza do të tregohet më mirë tek bilancet tregtare, 56 për qind e firmave kanë pasur më 2020 rënie të shitjeve, 39 për qind rënie të fitimit.

Oda Amerikane e Tregtisë në Gjermani vlerëson se kriza sistematike e sektorit të makinave dhe automjeteve do të përkeqësohet nga pandemia COVID-19.

Sektorët e teknologjisë së informacionit dhe të shërbimeve do të përfitojnë nga pandemia COVID-19. /Deutsche Welle/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme