Delegacioni i OEGjK-së takon Alfred Gaffal, Presidentin e Shoqatës së Ekonomisë bavareze – VBW (Vereinigung der bayerischen Wirtschaft) në München.
Presidenti i OEGjK-së Fadil Hoxha, bashkë me Drejtoreshën menaxhuese Nora Hasani Llapashtica kanë zhvilluar një takim me Alfred Gaffal, Presidentin e VBW-së, Shoqatës së Ekonomisë së Bavarisë, nën ombrellën e së cilës janë 133 shoqata të ndryshme ekonomike të Bayernit, në firmat anëtare të këtyre shoqatave punojnë gjithsej 4.7 milionë punëtorë.
OEGjK cilëson takimin me Gaffal si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një mundësi të mirë për t’i informuar bizneset bavareze për potencialin që ka Kosova.
Përfaqësuesit e OEGjK-së informuan Gaffal lidhur me marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare, kushtet për të investuar dhe bërë biznes në Kosovë, MSA, reformat fiskale, por edhe për ligjin për investime strategjike dhe potencialin e madh e të pashfrytëzuar që paraqet rinia kosovare.
Zoti Gaffal shprehu gatishmërinë e vbw për të bashkëpunuar me OEGjK dhe për t’i informuar firmat anëtare të Shoqatës së Ekonomisë së Bavarisë rreth mundësive për të investuar në Kosovë, dhe potencialin e pashfrytëzuar – rininë kosovare.
Presidenti i OEGjK-së Fadil Hoxha e ftoi Gaffal, që bashkë me një delegacion të anëtarëve të vbw ta vizitoi Kosovën.
Fadil Hoxha tha që Kosova lufton për ta përmirësuar imazhin e keq që ka në Evropë dhe të promovohet si vend strategjik, për investitorët gjermanë. “Me përkrahjen e VBW-së, përmes informimit të drejt të firmave bavareze rreth kushteve dhe potencialit që ka Kosova, do të mund të rritej interesimi për ta parë Kosovën si mundësi për të zhvendosur apo për ta zgjeruar prodhimin në Kosovë”, theksoi Hoxha.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e madhe të aftësimin profesional dhe për mungesën e një sistemi dual të arsimit në Kosovë, siç e ka Gjermania.
Pjesë e delegacionit të OEGjK-së ishin përfaqësuesit e firmave anëtare nga Bayern: Sebajdin Allaci nga ABIDAT GmbH – Nürnberg, si dhe Ibrahim dhe Naim Dula nga Dula Dienstleistungen – Puchheim.
“Më bën të ndihem shumë krenar, kur shoh nga afër se sa të suksesshme janë firmat e bashkatdhetarëve tanë në Gjermani. Ka qenë kënaqësi që firmat Dula Dienstleistungen dhe Abidatin t’i kemi pjesë të delegacionit tonë me takimin me z. Gaffal”, theksoi Fadil Hoxha.
Në kuadër të vizitës në Bayern, Fadil Hoxha dhe Nora Hasani Llapashtica vizituan firmën WOLF, që është lider evropian në për sisteme të ngrohjes qendrore dhe të kondicionimit të ajrit. Ata vizituan fabrikën në Mainburg, ku prodhohen sistemet për kondicionim të ajrit, kaldajat dhe panelet solare. Përfaqësuesit e OEGjK-së vizituan edhe firmën Gittfried në Karlsfeld.