Drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Ekonomi të Lirë, Besa Zogaj Gashi, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, se aktualisht vetëm 11 për qind e bizneseve në Kosovë , kanë në krye një grua.
Sipas Zogaj Gashit ndër barrierat më të theksuara për gratë biznesmene është mundësia e kufizuar për kredi, pronësia nuk është e rregulluar dhe pengesë bën edhe kolaterali, pastaj edhe Ligji i punës veçanërisht dispozita sa i përket barrës financiare për financim të pushimit të lehonisë.
“Bizneset në përgjithësi kanë probleme të shumta për të bërë biznes në Kosovë me theks të veçantë për gratë për arsye se edhe të dhënat statistikore flasin që jemi vendi me statistika më të ulëta në rajon krahasuar edhe me vendet në rajone Evropë. Pra, statistikisht biznese aktive të grave janë 10 ose 11 për qind që janë statistika mjaftë të vogla. Por edhe nëse e shohim strukturën e këtyre bizneseve janë 38 për qind biznese individuale që janë të vetëpunësuara apo kanë maksimumi një punëtor dhe 64 për qind janë biznese që kanë 0-5 persona të punësuar”, është shprehur ajo.
“Kjo e dhënë është mjaftë shqetësuese, bizneset ballafaqohen me probleme të shumta si energjia eklektike, korrupsioni, informaliteti, mirëpo bizneset e grave kanë edhe barriera shtesë siç është mundësia e kufizuar për kredi, pronësia nuk është e rregulluar dhe pengesë bën edhe kolaterali, pastaj edhe ligji i punës veçanërisht dispozita sa i përket barrës financiare për financim të pushimit të lehonisë, kjo në bazë të diskutimeve të shumta me biznese të grave ka krijuar problem të shumta. Është mirë që Kuvendi të bëjë ndryshimin e këtij neni dhe barra fiskale të jetë e barabartë edhe nga ana e bizneseve dhe nga ajo e Qeverisë sepse sipas ligjit aktual barrën më të madhe e kanë bizneset”, ka shtuar ajo.
Tutje ajo ka thënë se gratë biznesmene kanë nevojë për trajnime në drejtim të planifikim më të mirë të biznesit, buxhetin, hulumtimin e tregut, marketingu digjital, trajnimet si me aplikuar në grante.
Pra sipas saj, gratë nuk kanë nevojë vetëm për përkrahje financiare, por edhe për përvetësim të shkathtësive.
“Sado kudo Qeveria ka bërë përpjekje që t’i ndihmojë me një agjencion për barazi gjinore në vlerë prej 2 milionë euro. 1 milionë janë ndarë për çerdhe dhe 1 milionë tjera për shoqata e organizata për me ju ndihmu bizneseve, këtu diku afër 60 biznese të grave kanë përfituar dhe interesimi i grave ka qenë i madh sepse kanë nevojë për trajnime sidomos në fushën se si të bëjnë një planifikim më të mirë të biznesit, buxhetin, hulumtimin e tregut, marketingu digjital, trajnimet si me aplikuar në grante. Ka nevojë pra jo vetëm për përkrahje financiare por edhe për shkathësi”, ka thënë ajo.
Ndërsa ndërmarrësja e re e biznesit të tekstilit, “Punë n’Dorë”, Lorika Govori, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se të jetuarit në një shoqëri patriarkale si e jona e bën më të vështirë punën e një gruaje biznesmene.
“Kosova ka shkuar përpara në krahasim me vendet e rajonit dhe ka hapësirë për me hap biznese në Kosovë, por që hapja e biznesit vjen me sfida sidomos për një grua ndërmarrëse. Kemi shumë sfida ne si gra, kisha filluar më atë që ne jemi edhe nëna edhe ndërmarrëse dhe kemi shumë obligime. Ende jetojmë në familje patriarkale si shoqëri dhe kjo neve na bën shumë të mundimshme dhe të lodhshme punën si ndërmarrëse, pa marrë parasysh sa e kemi vullnetin dhe dëshirën me punu e kry biznes, kjo vjen si pjesë e familjes”, është shprehur ajo.
Kurse si sfidë tjetër për një grua si ajo biznesmene, Govori sheh e qasjen në likuiditet, gjetjen e fondeve apo mjeteve për biznesin e tyre.
“Në qasjen në financa shumica e grave kanë probleme, ende shihemi si inferiore. Unë kam pas mundësi me filluar biznesin tim por shumica e grave nuk kanë qasje në likuiditet dhe e kanë më të vështirë se një mashkull që të shkojnë të kërkojnë mjete apo fonde për biznesin e vet”, ka shtuar ai.
Për fund ajo ka shprehur pakënaqësinë e saj për përfitimet e vogla që kanë pas nga shteti gjatë pandemisë.
“Unë jam përfituese e masës së grave ndërmarrëse edhe pse fondi ka qenë shumë i vogël, pra nuk më ka ndihmuar aq por jam mirënjohëse për të. Ka qenë një sfidë e madhe në kohën e Covidit, por me ndihmën e familjes dhe të afërmeve kam pas mundësi mos me mbyll biznesin. Ka shumë kompani që kanë përfituar prej masave të shtetit edhe kanë pas të njëjtat kritere që i kanë përmbush, por ata kanë qenë fituese kurse unë jo. Unë jam në fushën e tekstilit që e ka dëmtuar shumë. Ndihma e shtetit nuk ka qenë paralele për të gjitha bizneset në atë kohë, ne si gra kemi pas përfitime shumë të vogla se sa bizneset e mëdha”, ka përfunduar ajo për EO.