Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës me përfaqësueses të bizneseve kanë diskutuar për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset, raporton Ekonomia Online.
Bizneset paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë shtrenjtim të çmimeve, duke kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se në rast se ndodh ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendës.
Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar nga deputetët që t’i rekomandojnë ZRrE- së që kalimin në tregun e rregulluar të energjisë të shtyhet për një vit.
“Ky takim vjen si rezultat i një diskutimi 3 vjeçar prej kur ne diskutojmë për një sfidë që po u paraqitet bizneseve në raport me kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike në atë të derregulluar. Kosova ka miratuar një pako ligjore që i ka hapë rrugë liberalizimit të tregut të energjisë e cila është proklamuar si arritje e Kosovës në proces të ndryshme në tregun rajonal të energjisë. Barrën për implementimin e një pjese të kësaj pako e ka pasur rregullatori i energjisë dhe e ka akoma”.
“Në vitin e parë ne jemi njoftuar nga grupi i parë i kompanive nga 10 sosh që nëse implementohej kjo rregullore që ata të kalojnë në treg të rregulluar ky ndryshim i dërgonte në falimentim ata. Atëherë me përkrahjen e parlamentit Bordi i Rregullatorit ka marr vendim që të shtyhet për një vit implementimi i kësaj dispozite”.
“Pas një viti kemi njoftuar bizneset për një letër të Sekretariatit të Vjenës që ka shtyrë edhe një vit këtë rregullore. Kurse edhe sot jemi në një situatë të njëjtë. Numri i kompanive që këtë vit kanë obligim të dalin në tregun e derregulluar është shumë i madh. Rritja e mundshme si pasojë e ofertave që kanë marr kompanitë nga furnizues të ndryshëm që të ketë 30 ose 40 për qind rritje të kostos nënkupton rritje çmimit për produkte që nënkupton rritje të kostos së jetës së qytetarëve”.
Drejtori i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka kërkuar që të rishikohet ky proces nga institucionet përkatëse.
“Forma e liberalizimit të tregut është dizajnuar gabimisht. Prej një monopoli të rregulluar po dalim në monopol të derregulluar. Ka koncentrim të tregut e nuk ka konkurrencë”.
“Tregu i derregulluan nënkupton rritje të kostove të kompanive prodhuese. Të reagoj Kuvendi e Qeveria që të shqyrtohet jo vetëm shtyerja e këtij procesi, por riformimi i plotë”.
Yllza Mehaj përfaqësuese nga bizneset ka thënë se kalimi në derregullim të tregut të energjisë vështirësohen shumë aktivitetet e bizneseve.
Poashtu ajo ka përmendur si shqetësim luhatjen e kohëpaskohshme të çmimeve të energjisë.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila e ka parë të disfavorshëm për bizneset derregullimin e tregut të energjisë.
“Po e shohim që kushtet që po krijohen me liberalizimin e energjisë janë kushte në disfavor të bizneseve. Ka paradokse dhe ekziston kufizimi për neve me funksionuar pasi nuk ka bord ZRrEe dhe përzgjedhje e tij merr shumë kohë. Ne si deputet të Kuvendit do të shohim që të sjellim në Kuvend një ndalesë për implementimin e kësaj rregulloreje, por që pa pasur një bord të kompletuar ZRrE-ja është e pamundur”.
Sipas saj, një numër i madh i bizneseve edhe pse nuk kanë fitim të lartë kanë numër të madh të punëtorëve andaj po futen në derregullim të tregut.
“E ardhmja energjike e Kosovës duhet të fillojë të debatohet tash pas këtij debati. Brenda vitit të ardhshëm duhet të kemi një ide të qartë se ku jemi në këtë aspekt dhe çfarë duam të bëjmë tutje”.
Kurse deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se liberalizimi i tregut do të duhet të sillte çmime më të ultë e jo më të larta siç po proklamohet.
“Duhet të shqyrtohet dy parime kryesore të kësaj çështje” ka theksuar ai.
Edhe shefi i Grupit Parlemnetar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se janë kundër këtij derregullimi që sjellë më shumë anarki, raporton EO.
“Si subjekt dimë që ZRrE është e pakompletuar si bord por ka anëtar që kanë të drejtën me dhënë dokumente për parlamentin. Jemi kundër me ngrit çmime për bizneset në këtë rrethanë që jemi”.
“Ne kemi marrë hapa që mos të mbyllet ekonomia se kemi menduar që hapja e ekonomisë do të ndikojë në moskolapsim të shtetit. Në këtë temë jemi desidiv nuk do ta mbështesim. Duam të shohim një iniciativë që kjo të ndalet nga Kuvendi”.