Dhjetëra biznese që operojnë në rrugën magjistrale Prelez i Jerlive – Ferizaj po vazhdojnë ta kundërshtojnë projektin e rrugës me katër shirita në këtë pjesë me arsyetim se do të dëmtohen bizneset pas ndarjes së rrugës me barriera në dy drejtime.
Ky projekt në vlerë prej rreth 2 milionë eurosh me mbështetje nga Ministria e Infrastrukturës tashmë është përgatitur në mënyrë të detajuar dhe pritet që punimet të nisin në qershor të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
Në kuadër të këtij projekti parashihet të rindërtohej edhe ura kryesore e cila lidh rrugët rajonale Gjilan-Ferizaj-Prishtinë-Kaçanik.
Rreth kësaj çështjeje është debatuar mjaftë gjatë edhe në debatin publik me biznese në fund të vitit të kaluar.
Armend Aliu, përfaqësues i një biznesi prodhues në rrugën rajonale Prelez i Jerlive – Ferizaj, të premten, ka thënë se kjo rrugë mund të rindërtohet, por në asnjë mënyrë nuk duhet të vendosen barriera për ndarjen e saj me arsyetim se dëmtohen dhjetëra biznese në këtë aks rrugor.
Gjithashtu edhe Mustaf Bucaliu, përfaqësues i një biznesi tjetër në këtë rrugë, ka thënë se ky projekt i rrugës me katër shirita është i gabuar dhe duhet të ridizajnohet më ndryshe nga ekspertë të kësaj fushe.
Nga ana tjetër Arbër Bytyçi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, ka thënë se projekti do të nisë në qershor të këtij viti dhe nuk do të ketë ndryshime thelbësore derisa është në të mirë të përgjithshme dhe në të mirë të zhvillimit të Ferizajt për të ardhmen. Sipas tij, me këtë projekt do të lehtësohet qarkullimi i të gjithëve dhe në mes të rrugës do të ketë hapësirë gjelbëruese.