Respektimi i orarit për hedhjen e mbeturinave, mirëmbajtja më efikase e hapësirave publike dhe ndarja/selektimi sipas llojit të mbeturinave ishte tema e sotme, për të cilin ekzekutivi komunal ftoi për diskutim bizneset ferizajase, kryesisht të zonës qendër. Kjo pasiqë ditëve të fundit, sipas KRM “Pastërtia” është rritur për 100% hedhja e mbeturinave në zonën urbane, me ç’rast nuk është respektuar as orari i hedhjes së tyre, çka ka shkaktuar pamje të pakëndshme për qytetarët duke krijuar deponi ilegale mbeturinash. Për të diskutuar mbi këtë temë dhe për t’i kërkuar respektimin e rregullores komunale që derivon edhe orarin e hedhjes së mbeturinave, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Komunës, Ridvan Berisha sot në ambientet e Kuvendit, pritën një delegacion biznesesh. Këtyre të fundit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i tha se institucioni që drejton nuk është i interesuar t’i shqiptoj gjoba mandatore, porse i fton që ta respektojnë orarit, duke krijuar kështu lehtësi të operimit të kompanisë përkatëse të pastrimit si dhe ambiente më të mirëmbajtura gjatë këtij sezoni veror.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Arben Halili tha se Komuna dhe gjithë kompetenca e saj në ndërmarrjet publike përgjegjëse për mirëmbajtjen e hapësirave publike po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme në largimin e deponive ilegale të mbeturinave, porse lypset bashkëpunimi dhe ndihma edhe e bizneseve.
Kryeinspektori Berisha në anën tjetër tha se mekanizmi që drejton në vijimësi inspekton territorin e Ferizajt, për të piketuar dhe ndëshkuar ndotësit e ambientit, duke përdorur këtu survejimet edhe përmes kamerave të vendosura në zonën qendër, për çka janë shqiptuar një numër gjobash.
Komuniteti i bizneseve pjesëmarrës në këtë takim tha se do ta kenë parasysh këtë kërkesë të autoriteteve komunale, duke respektuar në përpikmëri orarin, për çka kërkuan që orari i hedhjes së mbeturinave të shtyhet në ora 24:00, tash kur rritet qarkullueshmëria e bizneseve në sezonin veror.
Ky takim që do të vijoj edhe me bizneset e pjesëve tjera të qytetit, me dakordimin e dyanshëm mbetet të respektohet në plotni rregullorja komunale që përcakton orarin e hedhjes së mbeturinave dhe çështja të tjera të mirëmbajtjes, çka eviton ndotjen në zonën urbane dhe mundëson operimin më efikas të kompanisë përkatëse publike.