Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar një takim me rastin e pesëvjetorit të Qendrës së Arbitrazhit të OEAK-së dhe katërvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve bilaterale me Qendrën e Arbitrazhit të Odës së Ekonomisë dhe Industrisë së Sllovenisë.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte që t’i ofrohej përdoruesve të arbitrazhit, një pasqyrë praktike lidhur me ambientin ligjor për arbitrazhin komercial ndërkombëtar në Slloveni dhe Kroaci, si dhe funksionimin e brendshëm të dyja institucioneve të arbitrazhit në rajon – Qendra e Arbitrazhit të Lubjanës dhe Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Përmes kësaj konference, përdoruesit e arbitrazhit janë njoftuar me trendët aktualë dhe praktikat më të mira në arbitrazh ndërkombëtar, në veçanti në rajon, si dhe të forcojnë lidhjet ekonomike në mes të bizneseve nga këto dy shtete.
Sekretarja gjenerale e Qendrës së Arbitrazhit në OEAK, Anjeza Gojani, foli rreth zhvillimit të qendrave të arbitrazhit, sfidat dhe me çka janë të lidhura ato, dhe përvojave të tyre juridike.
“Sot kemi kornizë procedurale të shëndoshë të arbitrazhit që janë testuar dhe përdorur në disa raste vendore dhe ndërkombëtare…Qendrat e arbitrazhit kanë ndërmarrë sfida të reja, publikimin e revistës së arbitrazhit, e cila në zhvillimin e parë ka pasur si objektiv që të mbledhë informacion rreth arbitrazhit dhe të rejat në këtë fushë. Kjo revistë mundohet të gjejë një baraspeshë të diskutimeve akademike sa i përket temave të kësaj fushe”, theksoi Gojani.
Ajo shtoi se qëllimi i kësaj konference është që të japë mundësi që të dëgjohet në aspektin e mjedisit arbitrazhi si në Kosovë dhe Slloveni, për uljen e arbitrave në zhvillimin ekonomik, si dhe për rendësinë e rregullave të së drejtës.
Konrad Plaustajner nga Qendra e Arbitrazhit e Lubjanës foli për të ardhmen e arbitrazhit në regjionin e Adriatikut. Ai tha se arbitrazhi është proces global, punë dhe biznes profitabil.
“Ndërmarrjet tona sa u përket zgjidhjes së kontesteve të tyre biznesore ndërkombëtare zgjedhin gjykata ndërkombëtare të arbitrazhit”.
Ndërsa për aspektet praktike në Slloveni foli sekretari i Përgjithshëm i Qendrës në Lubjanë, Marko Gjinoviq. Ai tha se arbitrazhi është vetëbiznes dhe i ofron secilit praktikant një copëz të ndërveprimeve të ndryshme në arbitrazh ndërkombëtar. “Çështja e zgjidhjes së kontesteve duhet të adresohet krejt në fillim të procesit të negocimit të kontratës. Vendi i arbitrazhit duhet të zgjidhet krejt në fillim”.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit në OEAK, Sokol Elmazaj, tha se komuniteti i biznesit duhet ta përqafojë arbitrazhin si e drejtë për zgjidhjen e konteksteve që dalin dhe bëhen në mes të partnerëve biznesorë.
“Parlamenti i Kosovës ka pasur një besim të tillë duke e hartuar Ligjin për Arbitrazhin i cili është shumë fleksibil. Arbitrazhit si ligj i beson edhe Oda Ekonomike Amerikane”, tha Elmazaj.
Ndërsa, Robert Muharremi foli për zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare private në Kosovë dhe lidhshmërinë e saj me arbitrazhin komercial ndërkombëtar.
“I kemi disa probleme që janë shumë specifike sa i përket konfliktit të ligjeve, se a po zbatohet ligji i Kosovës i arbitrazhit apo ndonjë ligj tjetër i arbitrazhit”, u shpreh Muharremi.