Biznesmenët kineze dhurojnë 2 milionë euro për të prekurit nga tërmeti

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Ambasada kineze në Tiranë sqaroi përmes faqes së saj në Twitter se kompanitë kineze kanë dhuruar 2 milionë euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. “Personave në nevojë u janë dërguar gjithashtu ushqime, ujë I pijshëm, batanije e tenda”, thuhet në postimin e saj.

Një ditë më parë, ambasadori kinez në vendin tonë Zhou Ding, i cituar nga ATSH,  kishte deklaruar se Kina do të kontribuojë me vlera monetare, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë të Kryeministrit Edi Rama me ambasadorët e huaj, Ambasadori Ding tha se: “dua të rikonfirmoj gatishmërinë tonë për t’ju ndihmuar nga qeveria kineze. Pas shpërthimit të tërmetit, ekipi kinez i kërkim-shpëtimit ishte i gatshëm të vinte, por Kina është pak larg. Nëse keni nevojë ne jemi gati të vijmë”.

“Sa i takon donacionit në para, është duke ardhur, shpresoj të vijnë shpejt nëpërmjet Kryqit të Kuq Kinez”, tha ai, teksa bëri të ditur se dy kompanitë kineze në Shqipëri i kanë dhuruar 2 milionë euro popullit shqiptar.

Ambasada kineze, vijoi ai, do të punojë ngushtësisht me ekipin e ministrit Çuçi. “Nëse keni ndonjë kërkesë ndonjë ide, për çfarë keni nevojë për ndihmën e Kinës do të diskutojmë me hollësi, do të mbajmë kontakte të ngushta. Nëse keni një listë me kërkesa, nevoja për pajisje, logjistikë m’i vini në dijeni”, tha ambasadori Ding.

Të ngjashme