Biznesmeni amerikan me kombësi libaneze, Fadi Mitri, është tërhequr nga investimi që do të bënte në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit. Por jo vetëm. Edhe nga çdo projekt investimi në Republikën e Shqipërisë.
Vendimi i tij jen pas ngjarjes së rëndë ndodhur ditë më parë në rrugën e Rinasit, ku biznesmeni u dhunua me shkop bejsbolli. Makina ku ai udhëtonte me shoferin u përplas nga një tjetër automjet, ku persona të panjohur për të zbritën nga makina duke e dhunuar barbarisht.
Lajmin e tërheqjes nga investimi prej 450 milionë $ të një kompleksi turistik në këtë zonë, e ka bërë të ditur shoqëria “Omnix Albania”. Në deklaratën shpërndarë për mediat , ku shprehet indinjata për ngjarjen e rëndë kriminale, thuhet se projekti në fjalë do të hapte 1200 vende të reja pune deri në vitin 2018.
Deklarata
“Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër Z. Fadi Mitri dhe familjes së tij na ka hidhëruar dhe trishtuar pa masë.
Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalëzit. Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e hoteli me 5 yje, 370 dhoma suita, me të gjithë elementët e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, aquapark, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.
Ky projekt gjigand synonte do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do ti jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan.
Me këtë investim Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Si konkluzion Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjellë indinjatë për çdo shqiptar.
Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë. Falenderojm qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta.
I jemi mirënjohës të gjithë atyre miqve, shumica shqiptar, të cilët kanë qëndruar pranë dhe kanë mbështetur familjen e zotit Fadi Mitri në këto ditë.”
Omnix Albania është regjistruar në QKR më 27 mars të 2008-ës, me pronar shtetasin nga Katari Jamal Abdulsalam Abu Issa. Kapitali i saj në regjistrimin fillestar ka qenë rreth 10 milionë dollarë, ose 1.1 miliardë lekë. Abu Issa rezulton edhe administrator i shoqërisë, detyrë që ia ka deleguar për një kohë të shkurtër përfaqësuesit të tij ligjor, Fadi Mitri, me pasaportë amerikane, i lindur në Liban.
Investitori nga Katari zotëron edhe një kompani tjetër në Shqipëri, të quajtur “Omnix Contracting and Enginnering”, administrator i së cilës është gjithashtu Fadi Mitri. Kjo kompani, ka si objekt zhvillimin e pasurive të paluajtshme, investimet në infrastrukturë, turizëm, botime, shërbime mediatike dhe publiciteti, aktivitet në fushën e radios dhe televizionit, import-eksport etj. /