Bjellorusi: Qindra njerëz bashkohen me protestat globale të solidaritetit

Prishtinë | 30 Maj 2021 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Qindra njerëz në Poloni dhe Lituani kanë protestuar të shtunën për të treguar mbështetje për opozitën në Bjellorusi.

Aty u bë thirrje që të lirohet gazetari bjellorus, Roman Protasevich, i cili është arrestuar bashkë me të dashurën e tij, Sofia Sapega, të dielën e javës së kaluar kur u devijua fluturimi i aeroplanit Ryanyar, i cili ishte nisur nga Greqia për në Lituani, por e ndalën në Minsk të Bjellorusisë.

Arrestimi i çiftit shkaktoi zemërim global, Bashkimi Evropian linjat e aeroplanëve i ka nxitur t’i ndalojnë hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

Protesta u zhvilluan edhe në disa vende të tjera të Evropës, të SHBA-së dhe në Australi.

Nëna e gazetarit, Natalia Protasevich, në një protestë në Varshavë të Polonisë ka bërë thirrje që djali i saj të lirohet nga burgu, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Unë po u bëj thirrje të gjitha vendeve të BE-së dhe SHBA-së që të na ndihmojnë të lirojmë Romanin dhe Sofjen, si dhe të gjithë të tjerët të burgosur”, ka thënë Natalia.

Para Ambasadës së Bjellorusisë në Lituani ka protestuar edhe udhëheqja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, e cila nga gushti i vitit të kaluar jeton jashtë vendit.

“Besoj se do të ketë ndryshime shumë shpejt, do të ketë zgjedhje të reja, sepse nuk mund të ketë rrugë tjetër. Bjellorusia nuk do të dorëzohet”, ka thënë Tikhanovskaya.

Protesta të ngjashme ndodhën gjithashtu në Berlin, ndërsa protesta më të vogla u panë në dhjetëra vende tjera duke përfshirë Ukrainën, Irlandën dhe Holandën.

Të ngjashme