Idriz Blakaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (MKMK), tha se kryeministri Ramush Haradinaj është ngutur kur ka kërkuar fillimin e hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm në rregullimin e kompleksit Memorial në Meje të Gjakovës.
Këto komente ai i bëri në Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, nuk mund të fillojnë hetimet pa u përfunduar punimet, por edhe nëse ato duhet të zhvillohen Prokuroria nuk do ta ndjek as atë e as Agjencinë.
“Kryeministri ka bërë kërkesë për hetime për keqpërdorime në Meje. Ai ka të drejtë mirëpo nuk di çfarë hetime mund të bëhet pa u përfunduar punimet. Kërkese e imja është që nëse ka keqpërdorime atëherë ne do të përgjigjemi”.
“Në fund të qershorit do të kryhen të gjitha punët. Ai është ngutë sepse duhet të bëhet pranimi teknik. Nëse ka me hy Prokuroria dikush ka me u ndjek mirëpo unë jo e as Agjencia”, tha ai.
Blakaj ka folur për gjendjen e Kompleksit Memorial të Mejes dhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gjatë punimeve.
“Sa i përket kompleksit memorial në Meje, vitin e kaluar i janë ndarë agjencisë 300 mijë euro për rregullimin e varrezave, këto nuk kanë mjaftuar dhe janë ndarë edhe 100 mijë euro tjera sepse 376 varreza. Janë bërë katër vite prej që komuna e Gjakovës ka angazhuar një kompani të punojë mirëpo për shkak të mjeteve nuk kanë mundur të punojnë”.
“Ne e kemi shpallur tenderin viti e kaluar dhe me 16 qershor është nënshkruar kontrata dhe ja ka nis puna. Ata e kanë një shoqatë “27 prilli” dhe ka pas mosmarrëveshje për shkak të formës së varreve. Pas vendosjes se kubëzave, kemi pasur një ftesë nga kjo shoqatë të cilët janë ankuar se nuk janë vendosur mirë, dhe ka rifilluar vendosja e tyre”.
“Kemi pasur problem tjetër se kur familjaret kanë gjetur mbetje mortore, ata i kanë dëmtuar varrezat. Pas vitit të ri i është ndërpre puna kompanisë nga shoqata për shkak të kohës së ftoftë”, tha ai.
Ai përmendi numrin e vogël të stafit të Agjencisë përderisa tha se përkundër kërkesave drejtuar qeverise nuk është bërë diçka në këtë drejtim.
“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme institucioneve përgjegjëse edhe përkundër premtimeve të vazhdueshme qe agjencia jonë do të ketë kompletim të stafit asgjë nuk është bërë. Kosova ka shumë komplekse mirëpo numri i stafit është i vogël”.
Teuta Haxhiu, nga AAK, tha se ka qenë shqetësim i vazhdueshëm mos ndërtimi i duhur i varrezave, raporton EO.
“Nuk do të thotë që buxheti që është ndarë mos të shkoj aty për ku është destinuar. Shqetësimi im i vazhdueshëm si deputete ka qenë se ato varreza nuk po punohen si duhet. Unë bashkë me disa deputet kemi mbërri me vonese por mua personalisht më kanë ndalë anëtarë të shoqatës ‘27 prill’ dhe janë ankuar. Janë 400 mijë euro të ndara a do të thotë që 1 mijë euro kushton një varrë. Shqetësimi im është shqetësimi i familjarëve dhe i shoqatës”.