Raportohet se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka paralajmëruar liderët izraelitë se dëbimi i familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor mund të çojë në konflikte dhe luftë, shkruan e përditshmja britanike, “The Independent”.
Kryediplomati amerikan, i cili këtë javë e vizitoi Jerusalemin, u tha medieve amerikane se veprimet që do të mund të nxisnin valë të re të dhunës duhet të shmangen.
Ndonëse dëbimi i detyrueshëm i familjeve palestineze është pezulluar vetëm disa ditë para shpërthimit të luftimeve në Gaza, ky proces ligjor pritet të rifillojë në javët e ardhshme.
Blinken i tha faqes amerikane të lajmeve, “Axios”, se ka bërë një paralajmërim rreth dëbimeve gjatë vizitës së tij të para disa ditëve në rajon.
“Ne i ngritëm shqetësimet që të gjithë i kemi me veprimet që në rastin e parë do të mund të nxisnin tensione, konflikt dhe luftë dhe që gjithashtu do ta minonin edhe më tej perspektiven e vështirë për dy shtete”, deklaroi Blinken për faqen “Axios”.
Më tej, shefi i Departamentit të Shtetit tha se e ka përmendur dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre, ku kanë jetuar për dekada dhe gjenerata, por edhe shkatërrimin e shtëpive, kur është takuar me zyrtarët izraelitë.
Gjatë një konference për gazetarë gjatë vizitës zyrtare në Jerusalem, Blinken paralajmëroi kundër aksioneve izraelite dhe palestineze që mund të nxisin tensione dhe që mund ta dëmtojnë zgjidhjen me dy shtete, ndaj së cilës tha se Uashingtoni ende është i përkushtuar.