Sekretari amerikan, Antony Blinken, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të ndalojë masat e dhunshme siç është shprehur ai për zhvillimet në veri dhe të fokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai ka thënë se SHBA dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po tensionojnë situatën në veri.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Blinken në Twitter.
Qytetarët serbë në veri kanë bllokuar zyrat e komunale pas betimit të kryetarëve të zgjedhur. Ata kanë sulmuar pjesëtarë të policisë së Kosovës si dhe kanë djegur një veturë policore, poashtu duke vendosur edhe barrikada.
Policia e Kosovës ka reaguar duke larguar qytetarët që ishin mbledhur para objekteve të komunës në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kundër këtyre veprimeve ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, që ka bërë thirrje të mos merren veprime të mëtjeshme të njëanshme.