Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po e shqyrton mundësinë e marrjes së veprimeve kundër Rusisë, pasi forcat policore të dielën përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome ndaj protestuesve që kërkonin lirimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.
Paralajmërimi u bë nga Sekretari i Shtetit në SHBA, Antony Blinken.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga shtypja e dhunshme”, tha Blinken, në një intervistë televizive.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se Uashingtoni qëndron pas protestave, duke e quajtur këtë një “ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë”.
Por, Blinken tha se “qeveria ruse gabon rëndë nëse beson se këto ngjarje kanë të bëjnë me ne”.
Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny u arrestua më 17 janar, pasi arriti në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për disa muaj, pas helmimit në gushtin e kaluar. Navalny thotë se pas këtij helmimi qëndron presidenti rus, Vladimir Putin. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.
Një gjykatë në Rusi ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokurorët thonë se Navalny shkeli kushtet e pezullimit të një dënimi më 2014 që kishte të bënte me keqpërdorim fondesh.
Nëse Navalny gjendet fajtor se ka shkelur rregullat e lirimit nga burgu, ai mund të dënohet deri me tre vjet burgim.
Duke folur për krizat tjera në botë, Blinkeni tha se Kina ka vepruar “në mënyrë të egër” për të minuar autonominë e Hong-Kongut dhe paralajmëroi se Irani është vetëm muaj larg nga aftësia për të prodhuar materialin e nevojshëm për një armë bërthamore.
Në lidhje me Iranin, Blinkeni tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të kthehen në kushtet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 nëse Irani e bën të njëjtën dhe punon me aleatët e partnerët e SHBA-së për një marrëveshje “më të fuqishme”, që do të përfshinte edhe çështje të tjera.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që nga viti 2018, kur ish-presidenti, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, dhe vendosi sanksione shkatërruese mbi republikën islamike.
Trumpi ka thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe i mundësonte Iranit zhvillimin e armëve bërthamore.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaruar synimin që t’i kthehet marrëveshjes, nëse Irani respekton kufijtë e programit të tij bërthamor, të cilat i parasheh pakti.
Irani i ka bërë thirrje presidentit Biden që së pari të heqë sanksionet.
Teherani ka shkelur marrëveshjen duke rritur nivelin e prodhimit të uraniumit të pasuruar.