Bllokimi i buxhetit çon institucionet kulturore buzë kolapsit

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 08:58 | Nga

Israel Rodriguez të shtunën ka udhëtuar nga Orlando e Floridës për në Kosovë. Sot (e hënë) do të nisë provat me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës për të realizuar shfaqjen “Le Corsaire”. Por institucioni i nivelit qendror që e ka kontraktuar atë qysh vitin e kaluar përballet me probleme financiare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në llogarinë bankare nuk e ka asnjë cent. Por hallet në këtë aspekt BKK-ja i ka më të thella. Është në borxh ndaj balerinëve dhe kompanisë që ua ka mundësuar udhëtimin për në Bullgari në fillim të korrikut, ku ishin prezantuar me shfaqjen “Giselle”, me koreografi të Sylvia Tomova në Festivalin e Baletit Klasik në Sveti Vlas.

Aspak në gjendje më të mirë nuk është as Filarmonia e Kosovës. Është në obligime financiare për koncertin e mbajtur në fund të qershorit. Sot (e hënë) shënon javën e dytë qëkur ka nisur provat për koncertin e radhës. E në llogari ka zero cent.

Me këtë problem përballen të gjitha institucionet qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore tash e dy muaj.

MKRS-ja nga 20 qershori nuk mund të derdhë mjete për institucionet vartëse të saj, siç kishte paraparë me buxhet në fillim të vitit. Kjo sepse, siç kanë konstatuar auditorët, deri tash mjetet u janë bartur në xhirollogaritë në bankat komerciale, gjë që nuk ishte bërë me autorizim të Thesarit të shtetit. Por kështu veprohej tash e 18 vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme