Bllokimi i kufijve, Elshani: Situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident

Prishtinë | 07 Sht 2024 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, janë mbyllur mbrëmë për qarkullim. Ndërkohë, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për ‘Indeksonline’ se situata është e qetë dhe nuk ka pasur incident gjatë natës.

“Situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident”, tha Elshani.

Serbët po protestojnë mëtanë kufijve të Kosovës, pra në territorin e Serbisë, dhe kërkojnë që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu, e KFOR-i ta marr në mbikëqyrje.

Pas bllokimit të pikave kufitare, ka reaguar dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos përshkallëzohet situate më tutje.

“Ne i bëjmë thirrje urgjentisht ShBA-së, Turqisë, Gjermanisë, Francës dhe NATO-s që të ndërhyjnë për të parandaluar Vuçiqin nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës”, është shprehur Gërvalla.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pas ndodhive të fundit në veri.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, u shpreh Sveçla.

Të ngjashme