10 nga 30 minatorë të minierës së “Trepçës”, që kishin mbetur të ngujuar që nga ora 3:00 e mëngjesit të së hënës kanë arritur të dalin.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar kryetari i sindikatës së Trepçës, Mustafë Asllani.
“Po procesi ka nisur, jemi duke i nxjerrur minatorët që kanë mbetur brenda në ashensor të “Trepçës”. Procesi është duke shkuar pak ngadale, mirëpo pothuajse gjysa deri tani kanë dalur”.
“Aktualisht mund të them që edhe 20 kanë mbetur”, ka thënë Asllani.
Ai shtoi se me minatorët e ngujuar janë vënë kontaktet në mënyrë të vazhdueshme dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Në vendin e ngjarjes janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e Trepçës, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.