Seancat gjyqësore nuk janë duke u mbajtur prej gjysmës së dytë të muajit mars. Nuk dihet ende se kur mund të nisin ato, meqë te masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë nuk është përfshirë edhe sistemi i drejtësisë.
Shumica e seancave gjyqësore, të planifikuara për pjesën e dytë të muajit mars dhe për muajin prill, janë anuluar me qëllim që të shmanget përhapja e virusit COVID-19. Përjashtim bëjnë seancat për caktimin e masës së paraburgimit.
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se kjo gjykatë i ka punuar rastet urgjente dhe ato që e rrezikonin parashkrimin, raporton Koha.
“Të gjitha rastet urgjente janë trajtuar. Gjyqtarët e Apelit janë duke punuar”, ka thënë ai.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se funksionimi i gjykatave varet nga vendimi i Qeverisë. Ky këshill, në vendimin e vet, ka përcaktuar aktivitetet e kufizuara të gjykatave.
“Reduktohen esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të gjitha Gjykatat e Kosovës… Kryetarët e Gjykatave të caktojnë gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve, paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhet në vendimin e KGJK-së. Në këtë vendim thuhet se do të mbahen të gjitha seancat për caktimin e masave të paraburgimit ose vazhdimit të tyre.