Llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar përsëri. Kështu ka bërë të ditur Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (FSP-PTK).
Sipas komunikatës për medie, llogaritë janë bllokuar për shkak të kontratës me ish-Zmobile dhe vlera e dëmit financiar nga kjo kontratë, sipas FSP-PTK-së llogaritet të jetë mbi 120 milionë euro.
Njoftimi i plotë:
Të enjten, me datë 03.10.2024 janë bllokuar përsëri llogaritë e Telekomit të Kosovë për rastin e kontratës famëkeqe me ish-Zmobile, e cila ka zhvatur Telekomin e Kosovës që 15 vite prej viti 2009 me një dëme financiar milionësh në kurriz të punëtoreve të Telekomit, të vetë Ndërmarrjes publike dhe Buxhetit të Shtetit. Vlera e dëmit financiarë nga kjo kontratë famëkeqe llogaritet të jetë mbi 120 milion euro fitim vetëm nga shfrytëzimi i Shërbimeve te VALA pa asnjë investim te vetëm dhe mbi 60 milion euro cash përmes Gjykatave.
FSP-PTK çdoherë ka bëre thirrje për hetime të specializuar lidhur me ketë kontratë, por është e çuditshme që asnjë zyrtarë deri më sot nuk ka përfunduar në burg. Prandaj, vijmë në përfundim se gjithë këto dëme të mëdha financiar për qëllim të pasurimit të disa grupeve dhe individëve në kurriz të punëtoreve, ndërmarrjes, buxhetit shtetit etj. në njërën anë, ndërsa në anën tjetër heshtja e pashpjegueshme e mekanizmave të Drejtësisë përballë kësaj kontrate. Ketë lloj të heshtjes përballë zhvatjes së hapur ndaj një ndërmarrje publike nuk njeh historia e shteteve demokratike.
FSP-PTK edhe njëherë i bën thirrje mekanizmave të drejtësisë dhe dikastereve qeveritare, që të bëjnë hetim të specializuar lidhur me ketë kontratë, prej ditës së nënshkrimit e deri me sot. Ne asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për krimet financiar që kanë ndodhur në Telekomin e Kosovës!
FSP-PTK është duke e përcjell me shqetësim bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe njëkohësish jemi duke i shqyrtuar hapat që do t’i ndërmarrim së bashku me kryesinë dhe punëtoret, në rast se nuk zhbllokohen llogaritë bankare sa më parë.