Bllokohet autostrada – Mijëra qytetarë drejt Prishtinës në përkrahje të krerëve të UÇK-së

Prishtinë | 02 Pri 2023 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet kanë marrë rrugë drejt Prishtinës.

Kjo në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do ta nisin betejën me drejtësinë nesër në Hagë.

Më shumë se 15 autobusë u nisën nga Skënderaj, e qindra qytetarë të tjerë me vetura nga atje. Më shumë se 2 mijë qytetarë të tjerë janë nisur nga Mitrovica.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Nacionale ka siguruar pamje nga hyrja e autostradës në Prizren, e cila gati është bllokuar e tëra.

Kjo pasi dhjëtra autobusë janë ndaluar skaj rrugëve. Disa nga pjesëmarrësit thanë se pjesëmarrja është masive nga rajoni i Gjakovës e Prizrenit.

Transport të organizuar ka pasur nga të gjitha komunat. Ky marsh është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

Sipas njoftimit për mediat të inciativës “Liria ka emër”, gjatë marshit do të ketë edhe fjalime të cilat do të mbahen të sheshi “Skenderbeu”.

“Nga ora 14:00, do të mblidhemi të gjithë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të marshuar drejt sheshit “Skënderbeu”. Në kuadër të Marshit për Drejtësi, janë organizuar edhe fjalime të pjesmarrësve të ndryshëm. Bina është vendosur te sheshi “Skënderbeu”, ku edhe do të mbahen fjalimet”, thuhet në njoftimin për media.

Përkrahje këtij marshi i kanë dhënë edhe një pjesë e partive politike në vend si AAK-ja, VV-ja, Nisma Socialdemokrate, PSD-ja.

Përkrahje marshit i kanë dhënë edhe këngëtarë, personalitete të ndryshme, e sindikata të punëtorëve në Kosovë.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojë nesër me datë 3 prill. Fillimisht fjalët hyrëse do t’i ketë Prokuroria për më shumë se 5 orë, e pastaj mbrojtja.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se nga kjo komunë do të shkojnë mbi 2 mijë qytetarë në Prishtinë.

Kjo për t’iu bashkuar Marshit për Drejtësi në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Të ngjashme