Pika e përbashkët kufitare në Morinë është përballur me një fluks të lartë mjetesh në dy anët e saj. Qindra automjete kanë kaluar kufirin në drejtim të Shqipërisë, por edhe anasjelltas në drejtim të Kosovës.
Policitë e të dyja vendeve herë pas here u është dashur të lejojnë kalimet e lira të mjeteve për të shmangur radhët e gjata. Gjashtë sportele të Kosovës dhe tetë sportele të Shqipërisë nuk kanë ndërprerë punën për asnjë moment.
Madje për disa kohë janë përdorur edhe sportelet e destinuara për autobusët dhe mjetet e transportit janë vënë në shërbim të qytetarëve. Kjo periudhë gushti shënohet si periudha me fluksin më të lartë përgjatë gjithë sezonit turistik.
Kujtojmë se dy ditë me radhë, në fillim të kësaj jave, pati fluks të jashtëzakonshëm jo vetëm në pikën kufitare, por edhe në Rrugën e Kombit duke krijuar radhë kilometrike për orë të tëra./abcnews