Blloku A3 jashtë funksionit, KEK thotë se nuk ka mungesë në prodhimin e energjisë elektrike

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Blloku A3 i “Termocentralit Kosova A” aktualisht është jashtë funksionit të tij operues për prodhimin e energjisë elektrike.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Ai konfirmoi se blloku A3 është jashtë funksionit për shkak të disa punimeve.

Aktualisht KEK-u është duke operuar me njësitë A4 të Termocentralit “Kosova A” dhe njësitë B1 dhe B2 të Termocentralit “Kosova B’.

Bucolli ka thënë se përkundër kësaj, prodhimi në KEK po vazhdon normalisht dhe sipas planifikimeve.

“Vlen të theksohet se njësia A3 ka qenë në remont që nga data 31 tetor dhe, pas startimit të saj, është vlerësuar nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave. Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike” – ka thënë Bucolli.

Sipas Bucollit, aktualisht KEK-u po operon me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 MWh.

“Gjithashtu, ju informojmë se KEK është duke përmbushur në mënyrë të rregullt të gjitha obligimet e saj operacionale dhe kontraktuale, duke siguruar stabilitet në furnizim dhe funksionim të pandërprerë të sistemit energjetik” – ka thënë Bucolli.

Ai ka thënë se zakonisht KEK-u operon me katër njësi në total, ndërsa njësia e pestë, sipas tij, mbetet gjithmonë si opsion rezervë.

“Njësia A5 ose është rezervë e nxehtë ose i zëvendëson kur kemi ndalje të paplanifikuar ose kur kemi ndonjë remont në ndonjë njësi tjetër. Zakonisht KEK-u operon me katër njësi”.

Kujtojmë që me 26.10.2025 njësia B2 ishte ndalur nga operimi, për shkak të rrjedhjeve në kaldajë. KEK-u kishte bërë të ditur pas katër ditëve, me 30.10.2025 se B2 ishte kthyer në funksion, pas sanimit të defektit.

Të ngjashme