Kompanitë e njohur gjermane, BMW dhe Audi, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në panairin e sivjetmë, të 46-të, të veturave në Tokio, Japoni.
Në anën tjetër, Mercedes-Benzi sipas organizatorëve të panairit do të jetë i pranishëm edhe këtë vit.
BMW, Audi dhe Mercedesi nuk morën pjesë në panairin e Detroitit, SHBA, i cili është mbajtur në janar të këtij viti, dhe pastaj, BMW po ashtu nuk mori pjesë edhe në panairin e prillit në New York, transmeton Koha.net.
Edhe pse nuk do të marrin pjesë, bavarezët tashmë kanë njoftuar se do të prezantojnë risitë e tyre për publikun japonez në një ngjarje të veçantë. Kjo ngjarje nuk përkon me panairin e Tokios, i cili mbahet çdo dy vjet nga 24 tetor deri 4 nëntor.
Audi thotë se gjatë kohës së këtij panairi nuk ka ndonjë risi për ta ekspozuar para publikut japonez. Po ashtu, thonë se vendimi i tyre ka edhe kuptim financiar.
Përveç BMW-së dhe Audit, në panairin e sivjetmë të Tokios nuk do të marrë pjesë as grupi francez PSA, Volkswageni e as prodhuesi suedez i automjeteve, Volvo.