Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Walt Disney”, Bob Iger, do të largohet nga kjo pozitë duke ia dorëzuar detyrat kreut të sektorit “Disney Parks”, Bob Chapek.
Lajmin e konfirmoi kompania të martën, duke i dhënë fund spekulimeve disa vjeçare rreth asaj se, kush do ta trashëgojë pozitën e udhëheqësit të një prej studiove më të fuqishme në Hollywood.
Iger do të vazhdojë ta ketë një rol të rëndësishëm në kompani. Ai do ta marrë postin e kryetarit ekzekutiv dhe do ta drejtojë sektorin “kreativ” të kompanisë, deri në përfundim të kontratës së tij më 31 dhjetor të vitit 2021, transmeton Koha.net.
Kohëve të fundit aksionet e kompanisë gjigante “Disney”, kanë pësuar rënie të dukshme në bursë.
Chapek, i cili do të jetë kryeshefi i shtatë i kompanisë së njohur, në 100 vjetët e fund, deri më tani kishte shërbyer si udhëheqës i sektorit “Disney Parks, Experiences and Products”, ndërsa edhe më tutje do t’i raportojë Bob Igerit.
Iger e ka ndërtuar markën “Disney” përmes një sërë blerjesh të rëndësishme për kompaninë, përfshirë këtu studion e animacionit “Pixar”, atë “Marvel” dhe studion “Lucasfilm” e njohur për realizimin e filmave “Star Wars”. Suksesi i tij më i madh ishte blerja e kompanisë “21st Century Fox”, marrëveshje kjo tejet e dobishme për lansimin e platformës digjitale “Disney+”.