Boiken Abazi: Beteja jonë në Shqipëri sapo ka nisur

Prishtinë | 30 Pri 2021 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

Boiken Abazi, që ishte kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, por nuk siguroi dot votat për t’u bërë deputet, deklaroi se beteja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri sapo ka filluar.

Gjatë një interviste në “Vizion Plus”, Abazi tha se votat që ishin për të, u shpallën të pavlefshme.

“Është hera e parë që po marrim pjesë në zgjedhje në Shqipëri dhe ishim të parët që kemi ngritur zërin për atë që u konfirmua më pas edhe nga aktorët e tjerë, që ishte problemi me fletët e pavlefshme. Ne kemi kuptuar që ishte vendosur një X i dytë për një subjekt tjetër politik. Ne kemi identifikuar disa raste që i kemi bërë publike me fotografi dhe me video, ku duket që nuk është i njëjti stilolaps dhe i njëjti shënim. Ne morëm vota në qytet dhe në fshat, dhe kjo tregon se idetë tona kanë depërtuar. E vërteta e kësaj është fakti që Lëvizja Vetëvendosje përfaqëson një model krejt tjetër politik. Kjo ka nisur të prekë themelet e sistemit politik në Shqipëri. Projekti ynë është afatgjatë. Në Shqipëri, vetëm sa ia kemi nisur.”

Abazi komentoi edhe akuzat që u hodhën për Albin Kurtin se ndërhyri në fushatën zgjedhore në Shqipëri.

“Nuk mendoj që raportet mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare ndikohen nga një përpjekje e vazhdueshme për të përmirësuar demokracinë. Raste të tilla ka patur gjatë gjithë kohës. Çështja nuk është erdhi Albin Kurti dhe ushtroi të drejtën e tij kushtetuese. Ata që janë ankuar më shumë për këtë çështje, pse nuk kanë ngritur për Vuçiçin apo Zaevin”, deklaroi më tej Abazi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme