Boksieres Donjeta Sadiku i është rezervuar një vend për pjesëmarrje në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, që mbahen prej 21-30 qershor në Minsk të Bjellorusisë.
Organizatori i ka konfirmuar Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrjen me ftesë boksieres tonë, e cila do të garojë në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Sadiku ishte bërë nënkampione e botës për juniore në vitin 2015 në Taipei të Tajlandës, ndërsa një vit më pas fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Ordu të Turqisë, kategoria -57 kilogramë.
Në dy vitet e fundit, Donjeta ishte e pafat, pasi iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror për juniore në vitin 2017 dhe vitin e kaluar në botërorin e senioreve. Të dy kampionatet u mbajtën në New Delhi të Indisë, shtet ky që ekipin e Kosovës nuk e pajisi me viza, shkaku i mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga India.
Krahas shpresës tonë Olimpike, me normë Kosovën në Minsk pritet ta përfaqësojë edhe një ekipë i gjerë i xhudos, derisa pritet të marrin pjesë edhe garues të sporteve tjera.
Kujtojmë që Kosova është paraqitur edhe në Lojërat Evropiane Baku 2015, në të cilat debutoi me medaljen e bronztë të fituar nga xhudistja, Nora Gjakova.